Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti sot vendimin unanim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës.
Berisha theksoi në një prononcim për mediet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një akt i një rëndësie të madhe në mbrojtje të kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtutetueshmërisë së rendit.
“Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve, të cilët mbrojtën Kushtetutën dhe kushtetueshmërinë nga armiqtë e tyre”, tha më tej Berisha.
Berisha gjithashtu shprehu mbështetjen e plotë të PD-së, për kandidatin e pavarur për Tiranën, Florian Binaj.
“Besoj dhe shpresoj se të gjitha partitë opozitare edhe pas këtij vendimi do të rikonfirmojnë Florian Binajn, i cili siç jeni në dijeni u prit me shumë pëlqim dhe kënaqësi nga qytetarët e Tiranës, të të gjithë spektrit, në të gjitha shtresat, grupet e me radhë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se PD është e gatshme të vazhdojë garën në 5 bashkitë e tjera.
“Me të gjitha bashkitë e tjera ne jemi të gatshëm. Kandidatët janë shpallur, janë edhe ata kandidatura intelektualësh, biznesmenësh, mjekë, të pavarura, por që do të kenë mbështetjen e plotë të PD dhe koalicionit tonë”, tha Berisha.
Për kalimin në votim në Kuvend të rendit të ditës pa diskutime, Berisha u shpreh se, “ky parlament po ecën me shpejtësi drejt fundit të vet dhe se ne absolutisht në çdo seancë do qëndrojmë në mbrojtje të rregullores dhe në mbrojtje të Kushtetutës”.