Lihtenshtejni, shteti i vogël i vendosur mes Zvicrës dhe Austrisë, po kërkon punëtorë nga vendet e Europës përmes rrjetit EURES (Shërbimi Europian i Punësimit). Me të ardhurat për frymë më të larta në botë, vendi tërheq vëmendjen për pagat e larta dhe kushtet e mira të punës.
Pagat mesatare variojnë nga 2.600 euro në muaj për punët bazike deri në 7.200–10.000 euro për pozicionet e kualifikuara. Në disa raste, kompanitë ofrojnë edhe akomodim falas për punonjësit. Pozicionet e ofruara përfshijnë profesione të ndryshme, nga punonjës pastrimi dhe parukierë, deri te punëtorë logjistike dhe profesionistë të sektorëve teknikë e financiarë.
Kushti kryesor është njohja e gjuhës gjermane, megjithëse nuk është e detyrueshme. Si anëtar i Zonës Ekonomike Europiane (EEA), Lihtenshtejni kërkon leje qëndrimi, e cila mund të lëshohet për periudha nga 12 muaj deri në 10 vjet, sipas kontratës së punës.
Një tjetër arsye që e bën Lihtenshtejnin tërheqës është sistemi tatimor i favorshëm, që stimulon investimet dhe shmang tatimin e dyfishtë. Megjithëse më parë njihej si “parajsë fiskale”, sot Lihtenshtejni përmbush standardet europiane të transparencës dhe ndan të dhëna financiare me Bashkimin Europian.