Një ditë zie dhe tronditjeje për sistemin e drejtësisë shqiptare. Kolegët e gjyqtarit të ndjerë, Astrit Kalaja, kanë vendosur sot lule në vendin ku ai u vra një ditë më parë, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit. Gjest i thjeshtë, por plot dhimbje e respekt, për njeriun që humbi jetën në krye të detyrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje, kur gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, i cili hyri i armatosur në sallën e gjyqit dhe qëlloi ndaj tij. Pas hetimeve të menjëhershme, policia ka zbardhur dinamikën e plotë të atentatit dhe ka vënë në pranga tre persona: autorin Elvis Shkambi, xhaxhanë e tij Gjon Shkambi, i akuzuar për “vrasje në bashkëpunim”, si dhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhaj, për “shpërdorim detyre”.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur sërish pyetje të forta mbi sigurinë në ambientet e gjykatave dhe mbrojtjen e përfaqësuesve të drejtësisë.