Në Gjirokastër po vijon ndërtimi i Urës së re të Viroit, e para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe investimin e qeverisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kantieri, duke theksuar se ura, e realizuar nga ARRSH, do të sigurojë qarkullim të pandërprerë dhe të sigurt gjatë gjithë vitit, për të përmirësuar hyrje-daljet e qytetit të Gjirokastrës.
Aktualisht janë përfunduar proceset e gërmimit dhe skarifikimit në të gjithë seksionin e projektit, betonimet e ballnave dhe piles së urës dhe prodhimi dhe vendosja e trarëve kryesorë mbi strukturën e urës.
“Ura e Viroit do të sjellë përfitime të mëdha, si për lëvizjen e mjeteve, ashtu edhe për zhvillimin e zonës,” deklaroi Kryeministri Rama.
Ura, me gjatësi 33 metra dhe gjerësi 7 metra, do të ketë dy korsi dhe trotuare në të dy anët, duke kontribuar në një infrastrukturë transporti të qëndrueshme ndaj klimës. E vendosur në aksin SH4 drejt pikës kufitare të Kakavijës, ura është thelbësore për lidhjen rajonale.
Ura e re do të shkurtojë kohën e udhëtimit, përmirësojë sigurinë gjatë përmbytjeve dhe lidhë komunitetet e Jugut të Shqipërisë, duke krijuar më shumë mundësi për punësim, arsim, shëndetësi dhe akses në tregje.
Ndërtimi i saj garanton qarkullim të pandërprerë gjatë gjithë vitit, duke përfituar mbi 200 mijë drejtues mjetesh dhe 150 mijë këmbësorë.