Si po na ndihmon Ben Blushi të mendojmë!

Nga Ermal Peçi

Edhe pse i tërhequr prej vitesh nga politika aktive, Ben Blushi nuk ka lënë pas dëshirën për të qenë pjesë e jetës publike përmes mendimit të pavarur. Ai del rrallë, përmes rrjeteve sociale, intervistave apo shkrimeve të zgjedhura, por sa herë flet, ngre pyetje që sfidojnë narrativat zyrtare dhe provokojnë reflektim. Në një mjedis ku “debati” shpesh reduktohet në sharje apo kalkulime të ulëta politike, Blushi shfaqet si një ngacmues i mendjes – një rol i munguar në peizazhin tonë mediatik.

Në Shqipëri, ata pak intelektualë që kanë mbetur, shpesh struken pas zyrave të tyre dhe rrallë guxojnë të prekin temat që sfidojnë strukturat sociale dhe ekonomike të vendit. Ndryshe nga ata, Blushi kërkon të çajë errësirën e mendimit konformist dhe të flasë për plagët e shoqërisë që politika nuk i shëron dot.

Ai nuk i druhet temave të mëdha – përkundrazi, i kërkon, dhe kur i trajton, nuk e bën për modë, por për të shtyrë shoqërinë drejt një vetëdije më të lartë. Një prej shkrimeve më të komentuara të tij ishte ai mbi mosnjohjen e Palestinës, një temë që shumëkush do ta shmangte për shkak të ndjeshmërive fetare dhe ndërkombëtare. Por Blushi nuk ndjek turmën. Ai pyet prerazi:

“Pse duhet të njohim një shtet që nuk e njeh veten? Është kjo drejtësi apo verbëri ideologjike?”

Një pyetje që zemëron, përçan, por mbi të gjitha: zgjon.

Një tjetër provokim ka qenë analiza e tij për figurën e Albin Kurtit, ku me guxim ngre një pyetje të pazakontë në mjedisin shqiptar:

“Pse është automatikisht i ndershëm dikush vetëm pse është në konflikt me të tjerët?”

Kështu, ai e zhvesh figurën e liderit kosovar nga aura e paprekshmërisë morale, duke kërkuar që edhe heronjtë e ditës të kalojnë në sitën e arsyes.

Por Blushi nuk ndalet te individët. Ai shkon më thellë, në sistem. Në një tjetër shkrim goditës ai pyet:

“Çfarë Republike është Shqipëria sot?”

Duke e krahasuar vendin me shtetet e tjera të Ballkanit, ai sugjeron se kemi ndërtuar më shumë një iluzion republikan sesa një shtet të së drejtës. Një vëzhgim i kthjellët mbi realitetin ku shteti është më shumë spektakël dhe më pak substancë.

Po kaq i rëndësishëm është edhe qëndrimi i tij ndaj ekonomisë digjitale. Ai kritikon ndalimin e kriptomonedhave në Shqipëri, duke e konsideruar këtë si shenjë frike nga e ardhmja:

“A nuk është më e lehtë të ndalosh atë që nuk e kupton, sesa të krijosh rregulla për ta menaxhuar?”

Në një vend që lufton për investime dhe modernizim, kjo është një goditje në palcën e debatit për zhvillim.

Ai flet për ndërkombëtarizimin dhe hapjen e universiteteve, për nevojën që ato të jenë ekonomikisht të qëndrueshme, por edhe për mënyrat sesi mund të ndalohet tkurrja e tyre. Auditoret po boshatisen, dhe kjo është alarm për të gjithë, jo vetëm për sistemin arsimor.

Por ndoshta ndër ndërhyrjet më simbolike të Blushit është ajo që ai e quan “nevoja për një brez të çmendur”. Ai nuk është nostalgjik për të rinjtë që ikën, por as nuk është i mahnitur nga brezi Z. Me një qasje herë ironike, herë filozofike, Blushi pyet:

“A ka ardhur ky brez vërtet në Shqipëri? A do ta përfshijë vendin tonë në ndryshimet që kanë përfshirë botën?”

Ai kërkon një brez me kurajë, çmenduri krijuese dhe guxim për të menduar ndryshe, një brez që mund ta përfshijë Shqipërinë në Bashkimin Evropian jo me letra, por me ide dhe vepra.

Në të gjitha këto ndërhyrje, roli i Blushit është i qartë: ai nuk është thjesht opinionist. Nuk është as polemist.
Ai është ai që shfaqet në mes të heshtjes dhe hedh një fjali që bën zhurmë.

Qoftë kjo zhurmë e pakëndshme për disa, provokuese për të tjerë, apo thjesht një ftesë për të menduar ndryshe, është gjithmonë e nevojshme.

Faqet sociale të Ben Blushit janë kthyer në palestra mendimi, debati, por edhe sulmesh. Megjithatë, ai ka zgjedhur të qëndrojë larg përplasjes direkte. Nuk u përgjigjet askujt – madje as dhjetëra polemisteve apo analistëve që e sulmojnë si “pulat”, sa herë në shkrimet apo librat e tij zbulojnë ndonjë kokërr misri.

Ka vendosur t’i injorojë me qetësi, duke preferuar forcën e idesë ndaj zhurmës së replikës.

Në një mënyrë apo në një tjetër, ai është ndoshta njeriu më i debatuar dhe më i sulmuar në Shqipëri – jashtë politikës aktive – por duke mos hyrë në polemika, po i ndihmon edhe armiqtë e tij të mendojnë më shumë. Dhe ndoshta, t’i dorëzohen arsyes.

Në një vend ku figura e intelektualit publik është bërë thuajse e harruar, Ben Blushi mbetet një nga të paktët që ka një raport të gjallë me idetë.
Ai nuk kërkon pushtet, as lavdi, e as rikthim në skenën politike.
Kërkon diçka më të vështirë: që ne të mendojmë.

Që të mos pranojmë të jemi spektatorë pasivë në një kohë që kërkon njerëz me ide të forta dhe vullnet për t’i çuar ato përpara.

Ben Blushi nuk ka gjithmonë të drejtë. Por ka guximin të flasë kur të tjerët zgjedhin të heshtin.
Dhe kjo, në një shoqëri që rrezikon të jetojë në gjumë, është një akt që meriton respekt.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Hapet aplikimi për rezervimin e biletave për ndeshjen Shqipëri – Angli

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi sot të gjithë tifozët...

Përcaktohet përbërja dhe detyrat e Komitetit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave vendosi përcaktimin...

Ish-ministri Lefter Koka kërkon lirimin në Gjykatën e Posaçme, shtyhet seanca për në datë 20 tetor

Koka i cili aktualisht ndodhet në burg është dënuar...