Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti sot presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një takim të zhvilluar në një atmosferë bashkëpunuese dhe mirëkuptimi. Qëllimi kryesor ishte forcimi i lidhjes mes institucioneve dhe diskutimi i projekteve për zhvillimin e futbollit në vend.
Gjatë takimit, Duka e uroi ministrin për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e FSHF-së për të bashkëpunuar ngushtë me ministrinë në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të futbollit. Ai prezantoi vizionin e Federatës, duke theksuar arritjet e fundit si sukseset e Kombëtares, organizimi i finales së UEFA Europa Conference League në Tiranë, Euro U17 2025 dhe bashkëorganizimi i Euro U21 2027 me Serbinë.
Ministri dhe presidenti diskutuan edhe mbi rëndësinë e sportit si motor zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor, si dhe nevojën për një bazë ligjore të qëndrueshme që siguron autonominë e sportit, lehtësi fiskale për investimet dhe angazhim institucional të shtuar për futbollin dhe sportet e tjera. Në këtë takim, Duka u shoqërua nga drejtori administrativ i FSHF-së, Aldi Topçiu.