Me mihalekonomasit në Fushë Studen -aty ku natyra, mikpritja dhe tradita bëhen një

Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh 

Udhëtim i shkurtër në kohë, por i pafund në kujtime, çka tregon tregon se shkolla “Mihal Ekonomi” nuk është thjesht institucion mësimor, por familje e madhe, që di të jetojë, të mësojë dhe të shijojë Shqipërinë e bukur…

E krijuar në vitin 2002 “Mihal Ekonomi”, si shkolla e parë private jo publike në Durrës, mbart histori të veçantë që lidhet me kujtimin e profesorit të njohur durrsak. Mihal Ekonomi kreu studimet e larta në Rumani dhe dha ndihmesë të çmuar në arsimin dhe kulturën e qytetit. U nda nga jeta, sapo demokracia trokiti në dyert e Shqipërisë.

E bija, Elsa Hila, vendosi t’i jepte emrin e të atit kësaj shkolle, duke përjetësuar kështu trashëgimi familjare dhe qytetare. Elsa Hila është administratorja e shkollës, ndërsa i shoqi Vasil Hila, agronom i njohur dhe kuadër drejtues në shumë qendra pune të Durrësit, mbështet infrastrukturën e institucionit, duke e bërë këtë me vizion, kulturë dhe përkushtim të rrallë.

Tradita e Shkollës së Mesme jo publike “Mihal Ekonomi”, nuk kufizohet vetëm te mësimi, provimet dhe rendimenti akademik. Ajo ka ndërtuar profil të veçantë, ku arsimi dhe kultura ndërthuren me përvojën konkrete, ku udhëtimet dhe ekskursionet nuk janë luks, por pjesë organike e formimit.

Është filozofia e shkollës për të parë përtej klasës, për të prekur vendin, njerëzit dhe natyrën, për të mësuar me sy, me shije dhe me përjetim. Kësaj here, rrugëtimi çoi në Fushë Studen, zonë malore në lindje të Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik–Jabllanicë, hapësirë me bukuri të rralla, me verë të freskët dhe dimër ku bora është mbretëreshë e pandalur.

Grupi prej 17 udhëtarësh, mësues e miq të shkollës, të shoqëruar nga gazetarë, muzikantë dhe eksplorues të natyrës, iu drejtua fundjavës me dëshirën për t’u shkëputur nga ritmi i qytetit dhe për të gjetur qetësinë e maleve. Në itinerar nuk mungoi ndalesa në Peshkopi, aty ku na priti njeriu i thjeshtë dhe i mënçur, organizatori i jashtëzakonshëm i punëve Atli Mani, administrator i 150 dynymëve tokë në fshatin Pejka-Melan.

Mani është shembullë i gjallë i njeriut, që nuk e braktis tokën, por e kthen atë në pasuri dhe krenari. Ky takim na vuri përpara pyetjes së madhe: sa shumë resurse ka vendi ynë dhe sa pak i shfrytëzojmë ato për të ndërtuar të ardhmen këtu, në atdhe, pranë tokës dhe natyrës që na është dhënë.

Psikologjia e ekskursioneve të “Mihal Ekonomasit”

Që prej krijimit të saj, kjo shkollë ka pasur në filozofinë e punës qasje ndryshe, duke e parë mësimin jo thjesht si proces klasor, por si bashkësi përjetimesh që zhvillon personalitetin. Ekskursionet, udhëtimet kulturore dhe vizitat në vende të ndryshme të Shqipërisë janë kthyer në traditë. Kanionet e Skraparit e Nivicës, Bualoja e Përmetit, Puka dhe shumë zona të tjera, janë shndërruar në stacione të njohjes, pushimit dhe argëtimit.

Shkolla “Mihal Ekonomi” e ka bërë traditë të udhëtojë në zona të ndryshme të vendit, duke i dhënë ekskursioneve jo vetëm vlerën e argëtimit, por edhe atë të njohjes dhe edukimit. Udhëtime të tilla janë vazhdim i vizionit të themeluesve, Elsa Ekonomi dhe Vasil Hila, që prej fillimit kanë dashur t’i japin shkollës frymë qytetare dhe kombëtare, duke e lidhur dijen me përjetimin, librin me jetën, dhe klasën me natyrën.

Kështu, ekskursioni në Fushë Studen nuk ishte thjeshtë udhëtim i zakonshëm. Është dëshmi e një filozofie pune dhe jete: të bashkosh të mësuarit me përjetimin, të lidhësh shkollën me natyrën dhe të krijosh kujtime që i japin jetë frymës komunitare.

Ky dimension psikologjik është i veçantë. Larg qytetit, mësuesit dhe bashkëpunëtorët ndajnë kohë si kolegë dhe miq, duke hequr uniformën e profesionit, për të zbuluar vlerat njerëzore, humorin, pasionet dhe thjeshtësinë e jetës.

Ky ekskursion është dëshmi e një shkolle që nuk mjaftohet vetëm me mësimdhënie, por ndërton kujtime, përvoja dhe lidhje të forta mes njerëzve. Gjithashtu është thirrje për të parë dhe vlerësuar atë që kemi në Shqipëri natyrën, kulinarinë dhe punën e ndershme të familjeve si ajo e Hasajve.

Nga Peshkopia në drejtim të majave të Jabllanicës

Fushë Studen është zonë që ndodhet brenda kufijve të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Zona është shumë e njohur për bukuritë natyrore pyje, male, ajër të pastër dhe po tërheq numër të madh vizitorësh, vendas dhe të huaj. Gjatë vitit 2024, parku kombëtar (“Fushë Studën”) u vizitua nga mbi 130,000 vizitorë sipas burimeve të besuara. Liqeni mahnitës artificial në Fushë Studen, furnizohet nga ujërat e shiut dhe burime të tjera tokësore e nëntokësore.

Është territor me bukuri natyrore të rralla: livadhe të gjelbëruara, ujëra të pastra, pyje të dendura, vend ku natyra ruan ende virgjërinë. Fushë Studeni është në njësinë administrative Streblevë të Librazhdit. Është hyrja kryesore e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut. Peshkopia ndodhet më në veri (qarku Dibër), ndërsa Fushë Studeni shtrihet në juglindje të Shqipërisë, brenda qarkut Elbasan.

Mikpritja e familjes Hasa histori suksesi

U vendos që mbrëmja të kalohet në një bujtinë interesante dhe shumë tërheqëse. Është pronë e familjes Hasa. E ngritur si biznes familjar prej 15 vitesh, funksionon kryesisht me prenotime dhe është shndërruar në pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj. Çifti Altin dhe Arjola Hasa, të mbështetur nga dy vajzat Albriena dhe Arlena, ka ditur të kthejë pronën dhe mundësitë natyrore të zonës në burim suksesi.

Ditët e javës i kalojnë në Durrës, por të shtunat dhe të dielat ia kushtojnë kësaj sipërmarrjeje, duke e zhvilluar me pasion dhe profesionalizëm. Çdo gjë funksionon me prenotime. Është kjo arsyeja, që shtëpia e tyre është gjithnjë e mbushur me mysafirë.

Modeli i familjes Hasa, është shembull se si shqiptarët, përpara se të mendojnë për t’u larguar jashtë vendit, mund të shohin potencialet e tyre të pashfrytëzuara në tokën, kulinarinë dhe traditën e vet. Përvoja e tyrë, është një thirrje për të parë nga afër resurset, që ende presin duar të afta për t’u shndërruar në histori suksesi.

Kulinarinë si art i shijes dhe traditës

Në qendër të mbrëmjes ishte padyshim kulinaria e bujtinës. Nga byreku e pispilia, tek zogjtë e njomë me jufka, specat e mbushura me gjizë, kungulli i pjekur, turshi me patëllxhana, patatet e pjekura të furrës, çdo gjë ishte e gatuar me produkte bio dhe me kujdes të madh.

Gjithçka shkonte përtej ushqimit, për të dhënë ndjesinë e trashëgimisë dhe të shijes së pastër. Mengjesi i së nesërmes ishte tjetër befasi: petulla të ngrohta, vezë fshati, çaj me hislla, dafine, lëvozhga arrash dhe trëndafil të egër, reçelra të përgatitur në shtëpi prej shalqiri, ftoi, kumbulle, qershije, qumësht i freskët, kombinime që lidhen me rrënjët e vendit.

Dhoma ku bujtën “mihalekonomasit” ishin të pastra, të ngrohta dhe të stolisura me punime druri dhe qilima të punuar me dorë, duke dhënë ndjesinë e autenticitetit dhe thjeshtësisë së jetës malore.

Atmosfera e mbrëmjes përzierje humori, muzike dhe shije

Pavarësisht kushteve atmosferike jo të favorshme, mbrëmja në Bujtinën Hasa u shndërrua në ngjarje të paharrueshme. Grupi i “mihalekonomasve” Lubjana Cani, Silva Driza, Merita Xhelili, Lume Macukulli, Enkeleida Trebicka, Enkelana Plepi, Belina Tomori, Evis Kotori, Dorina Pelingu, Zamira Koçi, Pellumb Xhelili, Edmonda Rotani, si dhe miqtë e shquar të shkollës si kompozitori Ylli Ramzoti, gazetari Bujar Qesja dhe Kostandina Ngresi, ndau çaste gëzimi, miqësie dhe humori.

I pranishëm ishte edhe Totoja i vogël, vetëm 6 vjeç, djali i mësueses Lubjana Cani. Me aparatin fotografik në duar, i la gojëhapur të rriturit, duke kapur momente të bukura me sy që vetëm fëmijët e zgjuar mund ta kenë.

Mësueset, që zakonisht njihen në auditor si përçueset e dijes, këtë herë shfaqën anën e tyre shoqërore dhe plot gjallëri, duke treguar se edhe jashtë orëve të mësimit janë një pjesë e rëndësishme e jetës qytetare dhe shoqërore.

Atmosfera ishte e mrekullueshme, ndonëse koha na sfidoi me kushte atmosferike të vështira. Shiu dhe freskia nuk e ndalën dot ritmin e bisedave, batutave, humorit dhe dollive. Dollitë e Vasil Hiles, i shoqi i administratores kryesore të shkollës, Elsa Ekonomi, u shndërruan në kryevepra origjinale dhe u bënë pjesë të pandashme e menusë së mbrëmjes. Ndërsa Elsa, tregonte qetësinë e një zonje, që e di mirë se çfarë do të thotë të mbash mbi shpatulla, administrimin e shkollës pioniere të nismës private të arsimit.

Në mbrëmje secili tregoi diçka nga vetja, duke ndërtuar atmosferë komunitare, që të kujton traditën e miqësisë shqiptare. Udhëtim i shkurtër në kohë, por i pafund në kujtime, çka tregon se shkolla “Mihal Ekonomi” nuk është thjesht institucion mësimor, por familje e madhe, që di të jetojë, të mësojë dhe të shijojë Shqipërinë e bukur.

Psikologjia e ekskursioneve larg qytetit, afër vetes

Këto ekskursione janë më shumë sesa udhëtime. Janë shkëputje nga zhurma dhe rutina e përditshme. Mësuesit shfaqin anët e tyre njerëzore. Humori dhe krijimtaria marrin jetë. Kujtimet e përbashkëta forcojnë ndjenjën e komunitetit.

Për Shkollën “Mihal Ekonomi”, ekskursionet janë pjesë e traditës që nga ditët e para. Të shohësh përtej klasës, të bashkosh dijen me natyrën, të edukosh përmes përjetimit. Udhëtimi në Fushë Studen e dëshmoi edhe njëherë këtë filozofi.

Fundjavë e veçantë. Përvojë që mbetet gjatë në kujtesë. Udhëtim që bashkon kulturën e shkollës me natyrën dhe traditën shqiptare. Kështu mund të përshkruhet, ekskursioni i fundit i një grupi arsimtarësh dhe miqsh të Shkollës së Mesme Jo Publike “Mihal Ekonomi” të Durrësit.

Duke iu kthyer qytetit pas kësaj fundjave, mbetemi me bindjen se këto çaste janë të domosdoshme. Janë oksigjeni i nevojshëm për të përballuar ritmin e javëve të mbushura me punë. Janë kujtimi që na mbledh së bashku dhe na bën të ndjehemi jo vetëm kolegë, por edhe miq.

Dhe mbi të gjitha, janë dëshmia më e bukur se Shkolla “Mihal Ekonomi” mbetet familje e madhe, që di të mësojë, të punojë, por edhe të shijojë jetën.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

PD kërkon shkarkimin e Peleshit në Këshillin e Legjislacionit, Gjiknuri: Rrëzojmë pretendimet e opozitës

Nën  drejtimin e Aulona Bylykbashit, në cilësinë e kryesueses...

Analiza/ “Kartoni i verdhë për shqiponjën, Armando Duka duhet të vejë në vend dinjitetin e Shqipërisë

Nga Ergys Mërtiri Armando Duka duhet të nisë urgjentisht një...

PS kundër “gjinisë së tretë”/ Mazhoranca kundërshton draftin e Ministrisë së Shëndetësisë: Ka vetëm burrë dhe grua

Shoqëri tradicionale apo mbështetje për komunitetin LGBTI? Debati publik...

Muharrem Dosti: Humbja ndaj Vllaznisë nuk është fundi, por një mësim i çmuar për Elbasanin

Ish-trajneri dhe portieri i njohur i Elbasanit, Muharrem Dosti,...