“Wanderlust in Albania 2”, pamje nga bukuritë natyrore të Gramshit

Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse gjatë viteve të fundit, ku përveç bregdetit pushuesit zgjedhin si destinacion edhe monumentet natyrore të rrethuara nga peizazhe mahnitëse.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bukuritë natyrore të Gramshit, të cilat vijnë përmes videos së realizuar nga Julian Shyqyriu, dhe të prezantuar në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.

“Bukuritë natyrore të Gramshit, si Kanioni i Holtës, Ujëvara e Sotirës, burimet e ujërave termale dhe Liqeni i Dushkut, sjellë përmes objektivit të Julian Shyqyriut, pjesëmarrës në “Wanderlust in Albania 2”, Konkursi Ndërkombëtar i Foto & Video Reels”, u shpreh Rama.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

Një prej tyre ishte edhe videoja e Julian Shyqyriut, i cili zgjodhi destinacionet natyrore të Gramshit, që tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë unike.

Kanioni i Holtës, i vendosur në zemër të Gramshit, është një nga atraksionet më të spikatura të turizmit natyror në vendin tonë. Falë bukurisë së rrallë dhe veçorive të tij gjeologjike e natyrore, ky kanion tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit. Ai përfaqëson një kombinim të rrallë të peizazhit të egër, biodiversitetit të pasur dhe bukurive të paprekura.

Ujëvara e Sotirës në Gramsh, konsiderohet një nga ujëvarat më të bukura të vendit tonë, rrëzë të Malit të Tomorrit. Veçantia e saj qëndron në faktin se përbëhet nga tre burime që depërtojnë malin nga lartësi të ndryshme (20-100 m), duke krijuar pamje mbresëlënëse. Uji që bie prej saj më pas formon lumin me të njejtin emër.

Nga ujërat termale te liqeni akullnajor i Dushkut, zona e Gramshit ofron për turistët pamje mbresëlënëse. Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe Liqeni i Zambakëve ndodhet në afërsi të fshatit Lenie, në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit. Ai është një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME