“Moj e bukura Arbëri, o moj e bukura Shqipëri” kumbonte fuqishëm në mbyllje të Festivalit të Parë të Koreve në Ulqin, duke u kthyer në një simbol të gjallë të bashkimit kulturor përmes muzikës. Ky festival i jashtëzakonshëm, i zhvilluar nga data 19 deri më 21 shtator, mblodhi kore nga qytete të ndryshme të rajonit si Pljevlja, Ulqini, Bar, Nikshiq dhe Tirana, në një ngjarje që i dha jetë një fryme të re bashkëpunimi artistik dhe ndërkulturor.
Në mesin e pjesëmarrësve spikati Kori Ndërkombëtar i Tiranës “BujArt”, nën drejtimin e mjeshtrit Bujar Alliu. Me një repertor të zgjedhur me kujdes, kori solli një përzierje të veçantë emocionesh dhe kontrasti artistik. Interpretimi i veprës “Erdhi Prilli, u shkri bora” nga Milto Vako u pasua nga përpunimi polifonik i këngës së njohur nga Shqipëria e Mesme “Ferfelloi Fellenxa” e Muharrem Gurres, një risi e realizuar nga vetë dirigjenti Alliu.
Në skenën e Ulqinit nuk munguan emocionet e thella. Një nga momentet më kulmore ishte interpretimi i veprës “Muzg Vjeshte”, me muzikë nga kompozitori Endri Sina dhe poezi të Pandi Laços, një ndërthurje mjeshtërore që ngjalli ndjeshmëri të thella në publik dhe u shpërblye me duartrokitje të gjata.
Ndërkohë, kori “BujArt” tregoi edhe aftësinë e tij për të ndërlidhur muzikën shqiptare me përmasa ndërkombëtare. Me një ndjeshmëri të veçantë interpretuan “Raindrops Keep Fallin’ on My Head”, si një homazh për legjendën e kinemasë botërore Robert Redford, i cili është ndarë nga jeta së fundmi. Përmbyllja emocionale erdhi me këngën “Can’t Help Falling in Love”, që krijoi një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun dhe solli një atmosferë të ngrohtë përmbyllëse.
Por momenti më i veçantë dhe kuptimplotë ishte krijimi i korit të përbashkët rajonal, me pjesëmarrjen e koristëve nga Pljevlja, Ulqini, Bara, Nikshiqi dhe Tirana, të gjithë së bashku në interpretimin e këngës simbol “Moj e bukura Arbëri, o moj e bukura Shqipëri”. Ky moment ishte më shumë sesa muzikor, ishte një manifestim i përkatësisë kulturore dhe gjuhës shpirtërore që i bashkon shqiptarët kudo që janë, si dhe një urë miqësie me popujt e tjerë të rajonit.
Festivali i parë i koreve në Ulqin dëshmoi fuqinë që ka muzika në ndërtimin e urave mes kulturave dhe komuniteteve. Përmes harmonisë së zërave dhe mesazheve të përbashkëta, u shënua jo vetëm një moment artistik i rëndësishëm, por edhe një hap i guximshëm drejt krijimit të një tradite të re kulturore në rajon.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit u larguan me ndjenjën se ky festival nuk ishte thjesht një ngjarje, ishte një thirrje për bashkim, për ruajtje të identitetit dhe për bashkëpunim të qëndrueshëm artistik në të ardhmen.