Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh
Në historinë e qytetit, kujtesa nuk mbahet vetëm nga politikanët, drejtuesit, artistët apo intelektualët. Shpesh, ajo mbetet gjallë përmes njerëzve të thjeshtë, të cilët me zanatin e tyre, me seriozitetin dhe dinjitetin që i karakterizoi, u bënë pjesë e pandarë e jetës qytetare. Nga këto raste të veçanta janë edhe dy berberët e njohur të Durrësit: Ramazan Thermija (Zani) dhe Muhamet Kadiu (Meti). Lokali i tyre nuk ishte thjesht vend për qethje. Ishte pasqyrë e një kohe, skenë e një qyteti, ku politika, arti dhe thjeshtësia qytetare përziheshin nën dritën e briskut.
Berberhania e tyre ishte më shumë se vend ku rregullohej flokë apo mjekra. Ishte hapësirë shërbimi e veçantë, që mbante aromën e sapunit dhe briskut, por edhe peshën e bisedave të mbyllura, ku shoqëria durrsake, e sidomos nomenklatura e kohës, shkonte për t’u qethur dhe për të ndjerë një çast lirimi nga tensionet e ditës. Që prej vitit 1949, aty shkonin radhë pas radhe Sekretarët e Parë të Komitetit të Partisë të Rrethit, drejtuesit e ndërmarrjeve, piktorët e qytetit, figurat më të rëndësishme të jetës publike.
Në ato karrige janë ulur njerëz të peshës së madhe politike: Rita Marko, Iliaz Reka, Dashnor Mamaqi, Sami Gjebero, Mihallaq Ziçishti, Sadik Bocaj, Marko Karoli, Feruz Mataj, Kopi Niko… Dhe jo vetëm ata: drejtues si Nexhat Xhoi, Rifat Dimni, Kadri Peku, kuadro të respektuar si Agim Kelliçi, piktorët dhe skulptorët Ruzhdi Rraklli, Sabri Tuçi, Skënder Kokobobo, Nelo Lukaçi, Koçi Risilia, Nikolet Vasia dhe Xhoxh Koçi që ishte disident aktiv. E gjithë kjo galeri njerëzish, e bënte berberhanen e Zanit dhe Metit të ngjante si një “salon i elitës”, hapësirë ku prerja e flokëve ishte e lidhur me simbolikën e kohës.
Aty nuk shkohej vetëm për t’u qethur. Shkohej për të parë, për të dëgjuar, për të marrë frymë. Ishte vendi ku njerëzit e rëndësishëm e të thjeshtë, të gjithë pa dallim, ndiheshin për pak çaste të barabartë, sepse para briskut, të gjithë janë njësoj.
Në një ditë pune
“Ulu, shoku Rita, qafa drejt,” thoshte me qetësi të natyrshme Zani, ndërsa mbi supet e klientit vendoste peshqirin e bardhë. Në pasqyrë shfaqej fytyra e Rita Markos, anëtar i Byrosë Politike, që në atë karrige nuk kishte më hijen e pushtetit, por vetëm hijen e briskut që ndriçonte si shpatë e hollë.
Meti, më i ri, me duar të shpejta e plot finesë, i krehte flokët një tjetër klienti, ndonjë drejtor apo piktor i qytetit. Nuk e kishte për zakon të fliste shumë. Ishte më i heshtur, më i kujdesshëm, siç ia kishte mësuar i ati, Dervishi: “Berberi është si prifti, Met. Ai dëgjon gjithçka, por nuk rrëfen kurrë.”
Disidenca fine në karrigen e berberit
Në dukje, berberhania e tyre ishte thjesht pikë shërbimi, por në realitet, ajo kishte edhe dimension tjetër: atë të disidencës së heshtur. Kur uleshin në karriget e tyre piktorët e Durrësit, bisedat merrnin shpesh ngjyrime të holla kundërshtimi ndaj regjimit. Ishte disidencë e matur, e paketuar në pëshpërima, e shprehur në mënyra të koduara, por që përbënte një “valvul shkarkimi” për mendjet që nuk pajtoheshin me izolimin.
Sigurimi i Shtetit e kishte gjithmonë vëmendjen aty. Veçanërisht pas arrestimit të Mihallaq Ziçishtit, ish sekretarit të parë të Durrësit dhe pas vrasjes së Mehmet Shehut, Zani dhe Meti u thirrën në hetuesi. U morën në pyetje me rreptësi për atë çfarë kishin parë e dëgjuar, për lëvizjet dhe sjelljet e klientëve të tyre. Për pak, fati mund të kishte qenë tragjik, por shpëtuan “për fije të flokut”.
Pas kësaj, u hoqën nga berberhania e tyre e dashur, ku kishin punuar për 38-të vite dhe u transferuan në vende të tjera më periferike. E megjithatë edhe kjo nuk ua rrëzoi figurën. Përkundrazi, u bënë pjesë e legjendës së qytetit. Dy berberë të cilët nuk ishin thjesht mjeshtër të briskut, por edhe njerëz me kurajë, që e përjetuan përsekutimin e kohës me kurajo.
Midis zhurmës së gërshërëve, shpesh dëgjoheshin edhe biseda të tjera, të mbështjella me kujdes, si letër e mbyllur. Zani ngrinte vetullat. “Moda është liri e vogël, por e madhe për shpirtin. Ne këtu edhe flokët nuk na lënë t’i mbajmë si duam. Po ç’është ky vend, pa dritare nga bota?” Klienti shihte pasqyrën, qeshte pak, por askush nuk guxonte ta çonte më tej bisedën. Berberhania nuk ishte vetëm vend shërbimi, por edhe shtëpi e pëshpërimave, oaz i vogël ku njerëzit ndiheshin për pak çaste më të lirë.
Përtej prerjes së flokëve: përfaqësim qytetar
Ramazan Thermija kishte katër vajza, ndërsa Muhamet Kadiu la pas një djalë Gentjanin dhe një vajzë Bledën. Familjet e tyre mbartin ende sot kujtimin e nderuar të dy prindërve, që nuk u bënë kurrë palë me padrejtësinë, por as nuk ranë viktimë e kompromisit. Ata ishin të qartë në një gjë: dinjiteti i njeriut të punës është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Këtë e mëson jo vetëm në rrëfimin e Gentjan Kadiut, por edhe të bashkshorteve që janë ende me fryme, Meremja e Ramazanit dhe Lumturia e Muhametit.
Në qytetin e Durrësit, berberët kanë pasur gjithmonë traditë të shquar. Përveç familjes Kadiu, aty kujtohen edhe dinastitë e tjera: Esat Dakoli, djali i berberit Muharrem Dakoli, Qazim Dakoli, djali i Ahmet Dakolit, Lym Belba dhe xhaxhai i tij Beqir Belba, Ilir Rubiku, me të atin Beqirin dhe vëllain e tij Ferhatin. Të gjithë bashkë, ata formojnë rrjet të pazëvendësueshëm kujtese profesionale dhe qytetare.
Zani intelektuali me brisk
Ramazan Thermija (Zani), i lindur në vitin 1927, ishte ndryshe nga natyra. Mbante portretin e intelektualit të mirëfilltë, serioz, i matur, i prerë. Nuk pranonte dot padrejtësitë, as euforinë e tepruar që prodhonte regjimi, as mungesat e mëdha që i vinin nën këmbë njeriut të zakonshëm. Në pasqyrën e tij nuk shiheshin vetëm flokët e klientëve. Shiheshin ëndrrat e tyre, pengesat, shpresa për një jetë më të lirë. Dhe Zani e kuptonte këtë. Qe më shumë se një berber. Ishte zë i brendshëm i qytetit.
E shprehte hapur pakënaqësinë, jo me flamur në dorë, por me fjalë të matur dhe të kthjellët: që nga pamundësia për të ndjekur stacionet e huaja, izolimi i Shqipërisë, fuqia e diktaturës, deri tek privimet e thjeshta të rinisë, si moda, gjykimi i lirë, bota që shikohej vetëm nga larg. Jetoi deri në vitin 2013, duke mbetur në kujtesë si figurë simpatike, terheqëse dhe në mënyrën e tij kundërshtuese. Durrësi humbi jo vetëm berberin, por edhe zërin e fshehur të lirisë.
Meti trashëgimtari i një dinastie
Muhamet Kadiu (Meti), i lindur në vitin 1936, nisi punën që në moshën 12-vjeçare, duke marrë zanatin nga i ati, Dervish Kadiu berber i njohur, që do të ndërronte jetë në vitin 1968, në moshën 68-vjeçare. Meti e trashëgoi mjeshtërinë me pasion dhe disiplinë, duke u bërë portret i respektuar në qytet. Punoi me përkushtim deri në moshën 51 vjeçare, kur sëmundja e rëndë e ndali dhunshëm. Pas vitit 1987, përplot 35 vite, Meti jetoi me pasojat e hemorragjisë cerebrale, deri sa mbylli sytë në gusht të vitit 2020.
Në karrigen e tij, klientët ndiheshin të sigurt. Dorën e kishte të lehtë, fjalën të kursyer. Por mbi të gjitha, kishte ndershmërinë e zanatçinjve të vjetër: punën e shihte si detyrim, si mision.
Në familje zanati u kthye në dinasti: nga Dervishi, tek Meti, e deri tek djali i tij Gentjani, i cili ndoqi të njëjtën rrugë. Kështu, mbiemri Kadiu mbeti i lidhur ngushtë me artin e berberit, duke u bërë pjesë e traditës së qytetit.
Gentjani kujton të jatin, teksa i kishte thënë një herë:
-Djali im mbaje dorën të sigurt, respekto flokun dhe njeriun. Në këtë zanat, çdo klient është një histori.
Piktorët dhe fjalët e fshehta
Piktorët e Durrësit shpesh vinin për të ndarë mendime, për të shpërthyer pak nga ajo disidencë e heshtur, që nuk mund të flitej jashtë dyerve të berberhanes. Kur erdhi per të prere flokët duke u ulur në karrige, një piktor pëshpëriti:
-Ndonjëherë më duket se këtu, është vendi më i lirë në qytet.
Zani e kapi shprehjen dhe ia ktheu:
-Nëse di të dëgjosh, çdo fije floku ka histori për të treguar.
Përgjatë viteve, këto biseda të vogla, të heshtura, u bënë arkiva të qytetit, ku kritikët dhe artistët gjenin hapësirë për të thënë atë, që nuk mund t’a thonin diku tjetër.
-Ky vend, shpreheshin piktorët e kohës, nuk është thjesht berberhania e qytetit. Është biblioteka e heshtur e qytetarisë.
Pushimet e drekës dhe shikimet e fshehta
Ndryshe nga çdo tjetër berberhane në qytet, këtu bëhej pushim i rregullt i drekës. Ishte ritual që e shndërronte punën në reflektim, ku dy mjeshtrat flisnin për artin, qytetin, lajmet e jashtme që arrinin fshehurazi.
-Duket se shumë njerëz duan të na largojnë, thonte Meti.
-Ata mund të na largojnë nga dyqani, ia ktheu Zani, por jo nga kujtesa e qytetit.
Këto fjalë nuk qenë thjesht biseda. Ishin deklarata dinjiteti dhe përfaqësimi qytetar, ngacmim për të thënë se profesioni i tyre nuk ishte vetëm zanat, por edhe mënyrë për të mbajtur gjallë qytetin dhe të vërtetën e tij.
Trashëgimia dhe nderimi
Zani dhe Meti mbeten në kujtesën qytetare jo thjesht si berberët e elitës, por si dy figura të mençura, me plot dinjitet, profesionalizëm dhe autoritet njerëzor. Ata dinin të manifestonin klas në punë, por edhe të ruanin ekuilibër të hollë midis profesionit, dinjitetit dhe disidencës.
Në karriget e tyre u ulën për dekada me radhë drejtuesit më të fuqishëm të qytetit. Por paradoksalisht, pikërisht aty, në heshtje, u ulën edhe pakënaqësitë, shpresat dhe ëndrrat e një shoqërie që kërkonte të ishte më e lirë.
Prandaj, kujtimi i tyre nuk është vetëm kujtimi i dy mjeshtrave të flokëve, por i dy personaliteteve qytetare, që e nderuan Durrësin, e përfaqësuan me dinjitet dhe lanë pas një shembull, se si një zanat i thjeshtë mund të kthehet në histori të madhe.
Mësimi që vjen prej dinjitetit
Kur kujton jetën e tyre, nuk sheh vetëm briskun dhe gërshërët. Shquan metaforën e qëndresës qytetare. Zani dhe Meti ishin mjeshtra të flokëve, por mbi të gjitha, mjeshtra të dinjitetit. Në kohën kur pushteti të kërkonte të përkuleshe, ata qëndruan drejt. Në kohën kur frika shurdhonte fjalët, ata pëshpëritën.
Prandaj, historia e tyre është homazh për njeriun e punës, që nuk ka nevojë për kollare apo zyra të mëdha për të lënë gjurmë. Mjafton një karrige, një pasqyrë dhe një shpirt i ndershëm.
Në kujtesën e Durrësit, ata do të mbeten përjetësisht dy berberët e elitës, mjeshtra të artit, të dinjitetit dhe të një disidence të qetë, që i dha ngjyrë një kohe gri.
Kur kujtohen, qyteti nuk mban mend vetëm gërshërët e tyre. Sheh dy burra, që në kohë të frikshme, guxuan të ruanin qetësisht personalitetin e tyre. Dy berberë që nuk u përkulën, që e kthyen berberhanen në hapësirë lirie.
Berberhania e Zanit dhe Metit nuk është më e hapur për klientët e asaj kohe, por çdo flok i prerë dhe çdo histori e pëshpëritur aty brenda jeton në kujtesën e Durrësit.
Tradita vazhdon me Gentjanin, djali i Metit dhe kujtesa e qytetit e përforcon figurën e tyre.
Ramazan Thermija dhe Muhamet Kadiu, mbetën dy personalitete që dinin të qethnin edhe frikën, edhe hipokrizinë e kohës. Ishin mjeshtra të lirisë së vogël të përditshme. Dhe kjo është trashëgimia, që Durrësi do ta mbajë gjatë.