Sopoti zhgënjen sërish, Lorenc Pashja debuton me humbje! Bylisi shënon katër gola ndaj librazhdasve, ndërsa kriza e rezultateve thellohet

Librazhd, 28 nëntor 2026 /Albania Express News/– Sopoti i Librazhdit vijon të zhgënjejë në Kategorinë e Parë. As ndryshimi në pankinë nuk ka sjellë reagimin e pritur te skuadra librazhdase, e cila ka pësuar një tjetër humbje në kampionat, këtë herë përballë Bylisit, me rezultatin 2-4. Një debutim për t’u harruar për trajnerin e ri Pashja, i cili e nis aventurën në drejtimin e Sopotit me disfatë, duke e lënë skuadrën përballë të njëjtave pikëpyetje që shoqërojnë javët e fundit.

Ndryshimi i trajnerit nuk sjell kthesën, Sopoti pëson katër gola në shtëpi

Humbja ndaj Bylisit merr një peshë edhe më të madhe në kontekstin e situatës që po kalon skuadra librazhdase. Pas rezultateve të dobëta dhe mungesës së vazhdimësisë në kampionat, drejtuesit e Sopotit vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me trajnerin Rrahman Hallaçi, duke i besuar drejtimin teknik Pashjas.

Ky vendim shënoi fundin e një kapitulli të rëndësishëm për Hallaçin, i cili kishte meritën e rikthimit të Sopotit në Kategorinë e Parë pas më shumë se një dekade mungesë. Një objektiv i rëndësishëm sportiv, që riktheu entuziazmin e tifozëve dhe pritshmëritë për një përfaqësim dinjitoz të Librazhdit në futbollin e nivelit të dytë.

Megjithatë, aventura në këtë kategori ka rezultuar më e vështirë nga sa pritej. Rezultatet negative dhe pamundësia për të krijuar një ecuri të qëndrueshme sollën largimin e Hallaçit, ndërsa drejtuesit shpresuan se ndryshimi në pankinë do të sillte një impuls të ri.

Por futbolli nuk njeh shumë kohë për përshtatje. Në ndeshjen e parë nën drejtimin e Pashjas, Sopoti u përball me një Bylis që tregoi efikasitet të lartë përpara portës dhe arriti të largohej me tri pikët nga Librazhdi.

Një pjesë e parë me dy gola dhe një përmbysje të shpejtë

Ndeshja nisi me rivalitet, por ishin kundërsharët nga Ballshi që zhbllokuan rezultatin në minutën e 36-të me Markun.

Sopoti tentoi të reagonte dhe në kohën shtesë të pjesës së parë, pikërisht në minutën 45+2, Naza riktheu baraspeshën, duke ndezur shpresat për një rezultat pozitiv të vendasve.

Por pjesa e dytë do të rezultonte fatale për skuadrën librazhdase.

Në minutën e 57-të, Trokshi kaloi sërish Bylisin në avantazh, ndërsa vetëm një minutë më pas, Lleshi realizoi golin e tretë për miqtë. Një goditje e dyfishtë për Sopotit, që brenda pak minutash e pa veten në një disavantazh të konsiderueshëm.

Në minutën e 61-të, Marku shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Bylisin, duke e bërë edhe më të vështirë misionin e vendasve.

Sopoti nuk u dorëzua dhe në minutën e 78-të, Aminu arriti të shënonte golin e dytë për skuadrën librazhdase, por ky realizim shërbeu vetëm për të ngushtuar shifrat.

Përfundimisht, 2-4 për Bylisin dhe një tjetër rezultat negativ për Sopotit, që nuk arrin të përfitojë nga ndryshimi i trajnerit.

Bylisi marshon, Besëlidhja surprizon Kukësin

Në takimet e tjera të luajtura këtë të shtunë, më 28 nëntor, në kuadër të Kategorisë së Parë, Besëlidhja arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Kukësit.

Skuadra e drejtuar nga Josa kaloi në avantazh me Bilalin në minutën e 30-të. Kukësi reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar me Bespallov në minutën e 52-të, por Hila në minutën e 69-të vulosi fitoren e Besëlidhjes.

Një tjetër fitore regjistroi Bylisi, që me suksesin 4-2 në Librazhd konfirmoi ambiciet për të vijuar ecurinë pozitive në kampionat.

Ndërkohë, Oriku mori tri pikë dramatike ndaj Korabit, duke fituar 1-0 falë golit të Telushit në minutën e 90+5.

Në takimin tjetër, Kastrioti dhe Burreli ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1. Beshiraj shënoi për krutanët që në minutën e 6-të, ndërsa Xhabrahimi barazoi për Burrelin nga pika e bardhë në minutën e 44-t.

Një ditë më parë, Pogradeci kishte mposhtur Ilirinë, ndërsa përballja Flamurtari-Besa është shtyrë.

Librazhdi pret përgjigje nga Sopoti

Për Sopotit, kjo humbje nuk është thjesht një rezultat negativ në tabelën e klasifikimit. Ajo vjen në një moment delikat, pas largimit të trajnerit që e riktheu skuadrën në Kategorinë e Parë dhe në ndeshjen e parë të pasardhësit të tij në pankinë.

Tashmë vëmendja përqendrohet te reagimi i skuadrës në javët e ardhshme. Pashja ka përpara një detyrë të vështirë: të rikthejë besimin, të stabilizojë lojën dhe mbi të gjitha të gjejë formulën për të rikthyer rezultatet pozitive.

Tifozët e Librazhdit kanë arsye të kërkojnë më shumë nga skuadra e tyre. Rikthimi në Kategorinë e Parë ishte një arritje që u prit me entuziazëm, por qëndrimi dhe konkurrimi dinjitoz në këtë nivel kërkojnë rezultate, vazhdimësi dhe përgjegjësi sportive.

Sopoti ka ndryshuar trajnerin, por jo rezultatet. Debutimi i Florenc Pashjas me humbje e bën edhe më urgjente nevojën për një kthesë të vërtetë në Librazhd.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Divjaka feston 28 Nëntorin me emocione dhe krenari kombëtare, fëmijët sjellin koncertin artistik “Ty flamur të duam shumë”

NGA SARA TARKO DIVJAKË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Parada festive,...

Taulant Balla reagon për dhunën në protestë: Seksioni i dhunës së Saliut, sulme në Ditën e Pavarësisë

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryetari i grupit parlamentar...

Protestuesi qëllon me llastiqe në drejtim të policisë

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Një protestues është filmuar...