TIRANË , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-Shqipëria synon të kalojë drejt një sistemi modern të të dhënave të popullsisë, duke shfrytëzuar regjistrat administrativë, digjitalizimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me synimin për të prodhuar statistika më të shpeshta, të detajuara dhe në përputhje me standardet evropiane.
Instituti i Statistikave (INSTAT) organizoi së fundi, në Europe House në Tiranë, një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe partnerëve evropianë, për të diskutuar të ardhmen e Censit të Popullsisë dhe Banesave dhe zhvillimin e një metodologjie të re për mbledhjen e të dhënave.
Në një njoftim për shtyp, INSTAT bën të ditur se, “takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri të drejtoreshës së përgjithshme të Eurostat-it, Mariana Kotzeva, me fokus përdorimin e regjistrave administrativë dhe ndërtimin e partneriteteve institucionale për realizimin e censit të ardhshëm”.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, në fjalën e saj, vlerësoi rëndësinë e statistikave zyrtare në hartimin e politikave publike të bazuara në fakte dhe theksoi se Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 përbën një pikënisje të rëndësishme për modernizimin e mëtejshëm të sistemit statistikor. Ajo identifikoi tre prioritete për këtë proces: krijimin e një kuadri ligjor që garanton aksesin në të dhënat administrative, përmirësimin e ndërveprueshmërisë mes bazave të të dhënave të institucioneve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale e ekspertizës profesionale.
“Statistikat e besueshme janë pikënisja e një qeverisjeje efektive. Ambicia jonë është të ndërtojmë një sistem statistikor që na mundëson të kuptojmë në mënyrë të vazhdueshme se si po ndryshon Shqipëria dhe ta përdorim këtë njohuri për të marrë vendime më të mira në shërbim të qytetarëve tanë”, u shpreh Koçiu.
Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Lantona Sado, theksoi se sfida është kalimi nga modeli tradicional i censit çdo dhjetë vjet drejt një sistemi të qëndrueshëm, që mundëson përditësimin më të shpeshtë të të dhënave demografike.
Sipas saj, përdorimi më i gjerë i regjistrave administrativë dhe i metodave plotësuese të mbledhjes së informacionit do të mundësojë një pasqyrë më të vazhdueshme të ndryshimeve të popullsisë, duke ulur njëkohësisht kostot operacionale dhe barrën për qytetarët e përfshirë në proceset e anketimit.
“Ambicia jonë nuk duhet të jetë thjesht zhvillimi i censit të ardhshëm në mënyrë më efikase. Ajo duhet të jetë ndërtimi i një sistemi statistikor që na ndihmon të kuptojmë në mënyrë më të vazhdueshme ndryshimet e popullsisë dhe ta shndërrojmë këtë njohuri në politika më të mira, shërbime publike më cilësore dhe vendimmarrje më të mira për çdo komunitet në Shqipëri”, deklaroi Sado.
Ndërsa drejtoresha e përgjithshme e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, prezantoi zhvillimet në sistemin evropian të statistikave demografike, duke theksuar se vendet po orientohen drejt një modeli që nuk mbështetet vetëm në censet dhjetëvjeçare, por shfrytëzon burimet administrative dhe të dhënat e reja digjitale.
Sipas saj, ky transformim synon të sigurojë statistika më të përditësuara, me frekuencë vjetore dhe tremujore, në nivel evropian, kombëtar dhe rajonal. Në tryezën e rrumbullakët dhe diskutimin me temë “Zbatimi i metodologjisë së kombinuar të censit: Sfidat dhe zgjidhjet”, përfaqësues të Eurostat-it, të disa ministrive dhe Këshillit të Statistikave diskutuan mbi aksesin në të dhëna, cilësinë e regjistrave administrativë, ndërveprueshmërinë e sistemeve dhe nevojën për një infrastrukturë të përshtatshme teknologjike.
Mbështetur në përvojën dhe rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, INSTAT synon të zhvillojë një sistem statistikor më dinamik, që do të ofrojë informacion të besueshëm për ndryshimet demografike dhe do të shërbejë si bazë për politikat publike, përmirësimin e shërbimeve dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 18 për statistikat.

