CËRRIK , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-Një vit nga marrja e mandatit në krye të Bashkisë Cërrik, Florenc Doka ka ndarë me qytetarët një mesazh përmbledhës mbi angazhimin, punën dhe objektivat e realizuara gjatë 12 muajve të parë të drejtimit të pushtetit vendor.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Doka e ka cilësuar këtë periudhë si një vit angazhimi dhe shërbimi ndaj komunitetit, duke evidentuar investimet, mbështetjen sociale, aktivitetet komunitare dhe punën e zhvilluar në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Cërrik.
Nën moton “1 vit angazhim, 1 vit punë, 1 vit në shërbim të qytetarëve”, kryebashkiaku ka theksuar se rezultatet e këtij viti përbëjnë motivim për të vijuar me projekte dhe ndërhyrje të tjera në funksion të përmirësimit të jetës së banorëve.
Në bilancin e paraqitur prej tij, një vend të rëndësishëm zënë investimet infrastrukturore, mbështetja sociale dhe solidariteti, organizimi i aktiviteteve që gjallërojnë jetën komunitare, si dhe ndërhyrjet në territorin e të gjitha njësive administrative.
Doka ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për qytetarët, për besimin dhe bashkëpunimin gjatë këtij viti, duke nënvizuar se përgjegjësia që vjen nga besimi i tyre mbetet një motivim i vazhdueshëm për administratën vendore.
Objektivi: 500 fronte pune dhe ndërhyrjet më emergjente deri më 9 maj
Një nga pikat kryesore të mesazhit të Florenc Dokës lidhet me objektivin për finalizimin me sukses të punës në 500 fronte të rëndësishme ndërhyrjesh deri më 9 maj.
Ky objektiv nuk ka të bëjë me krijimin e 500 vendeve të reja të punës, por me realizimin e 500 punëve dhe ndërhyrjeve prioritare, të identifikuara si më emergjentet për komunitetin dhe territorin e Bashkisë Cërrik.
Bëhet fjalë për një angazhim që synon përqendrimin e punës së bashkisë në problematikat më të rëndësishme të qytetarëve, përmes ndërhyrjeve konkrete në shërbime, infrastrukturë dhe nevoja të ndryshme të komunitetit.
Mesazhi i kryebashkiakut në këtë përvjetor është i qartë: viti i parë përfaqëson një etapë të përfunduar, por sfidat përpara mbeten të shumta. Prioriteti tashmë është vijimi i punës dhe përmbushja e objektivave të përcaktuara, me fokus te zgjidhja e problematikave më urgjente të banorëve.
Në përfundim të postimit të tij, Florenc Doka përcjell një mesazh angazhimi dhe vazhdimësie: “Një vit pas, sfidat vazhdojnë dhe objektivat mbeten të qarta: të mbajmë premtimet. PUNA VAZHDON!”

