Kapetanoviç: Ballkani nuk ka luksin të mbetet i vogël

TIRANË , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndryshojnë përmasat e tyre, por mund të ndryshojnë përmasat e tregut ku operojnë. Për këtë duhet të kapërcejnë mosmarrëveshjet politike dhe të përshpejtojnë integrimin ekonomik.

Ky ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes të BE-së, që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

“Në një botë që është bërë më e vështirë për ekonomitë e vogla, ne të gjashtë ende mund të zgjedhim të mos mbetemi të vegjël. Pikërisht për këtë shërben ky treg dhe RCC-ja do ta çojë këtë punë deri në fund së bashku me ju”, deklaroi Kapetanović.

Kur ekonomia ecën dhe politika e frenon

Përfitimet e bashkëpunimit rajonal tashmë janë të prekshme. Që prej vitit 2021, qytetarët e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor komunikojnë me tarifa vendore telefonike në të gjithë rajonin. Katër ekonomi janë bërë pjesë e Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke ulur ndjeshëm kostot e transfertave ndërkombëtare.

Megjithatë, barrierat administrative, kufizimet në ofrimin e shërbimeve dhe dallimet rregullatore vazhdojnë të pengojnë bizneset.

“Kemi përparuar më shpejt atje ku përfitimet ishin të dukshme, puna mbeti në nivel teknik dhe rezultati i pritshëm ishte i qartë. Kemi ngecur atje ku çështjet teknike u përfshinë në mosmarrëveshje më të gjera”, tha Kapetanović.

Sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit, qytetarët e vlerësojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin rajonal, por presin rezultate konkrete, veçanërisht përballë kostos së lartë të jetesës dhe pasigurisë ekonomike.

Koha për zbatim

Me afrimin e vitit të fundit të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje dhe me Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028 që po i afrohet gjysmës së periudhës së zbatimit, Kapetanović kërkoi afate konkrete, vullnet politik dhe gatishmëri për kompromis.

Tregu i Përbashkët Rajonal, i koordinuar nga RCC-ja, përbën një nga shtyllat e Planit të Rritjes të BE-së. Ndërsa reformat e brendshme përgatisin ekonomitë e rajonit për hyrjen në Tregun Unik Evropian, integrimi rajonal u jep bizneseve mundësinë të rriten dhe të bëhen më konkurruese.

32 mundësi investimi në rajon

Samitit të Tiranës i paraprinë disa takime të nivelit të lartë. RCC-ja prezantoi një instrument të ri rajonal për zhvillimin e turizmit, ndërsa në konferencën e investimeve BE-Ballkani Perëndimor “New Frontier”, Kapetanović paraqiti një portofol me 32 mundësi investimi në rajon.

Liderët e Ballkanit Perëndimor vlerësuan progresin e arritur dhe rolin koordinues të RCC-së, duke nënvizuar nevojën për kapërcimin e pengesave të mbetura.

Sfida tani është që angazhimet e marra në tryezat e samiteve të përkthehen në më pak pengesa për bizneset, më pak kosto për qytetarët dhe më shumë mundësi ekonomike për të gjithë rajonin.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME