Elbasani vlerëson elitën e tij intelektuale ! Prof. Dr. Elvira Fetahut i akordohet titulli “Ambasadore për Paqe” -Rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani ” përcjell mesazhin e fortë: “Paqja ndërtohet përmes integritetit, dijes dhe respektit”

Në një ceremoni festive në Teatrin “Skampa”, Federata e Paqes Universale dhe Këshilli Rajonal i Paqes Elbasan vlerësuan shtatë personalitete të qytetit për kontributin e tyre në shoqëri. Mes tyre, një vlerësim i veçantë iu akordua Rektores së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e integritetit, gjithëpërfshirjes, dialogut dhe edukimit të brezave të rinj me frymën e paqes.

ELBASAN – TIRANË , 23 nëntor 2026/Albania Express News/-Prof. Dr. Elvira Fetahu, Rektore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, është nderuar me titullin “Ambasadore për Paqe”, një vlerësim i akorduar nga Federata e Paqes Universale në Shqipëri, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj akademik, drejtues dhe shoqëror.

Ceremonia u zhvillua në Teatrin “Skampa”, në kuadër të veprimtarisë artistiko-kulturore me temë “Nëntori i Flamurit, Lirisë dhe Paqes – Elbasani, traditë, kulturë, bashkëjetesë dhe harmoni”, organizuar nga Federata e Paqes Universale dhe Këshilli Rajonal i Paqes Elbasan, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan.

Titulli i akorduar Prof. Dr. Elvira Fetahut ishte një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit, i cili mblodhi rreth 120 personalitete të qytetit, përfaqësues të institucioneve, Ambasadorë për Paqe, intelektualë dhe të ftuar të veçantë.

Prof .Dr Elvira Fetahu: Titulli “Ambasadore për Paqe” është një nder, por mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe

Në fjalën e saj përshëndetëse pas marrjes së titullit, Prof. Dr. Elvira Fetahu shprehu mirënjohjen për Federatën e Paqes Universale dhe Këshillin Rajonal të Paqes Elbasan, duke theksuar se ky vlerësim nuk duhet konsideruar thjesht si një nderim personal, por si një angazhim i mëtejshëm në shërbim të shoqërisë.

“E konsideroj një nder të veçantë, por mbi të gjitha, një përgjegjësi të madhe! Jam plotësisht e ndërgjegjshme për simbolikën dhe peshën që mbart titulli ‘Ambasadore e Paqes’”, u shpreh ajo.

Duke e lidhur këtë vlerësim me përgjegjësinë që mbart drejtimi i Universitetit të Elbasanit, rektorja vuri në dukje rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në historinë e arsimit kombëtar dhe në formimin akademik e njerëzor të brezave të rinj.

Ajo kujtoi se Universiteti “Aleksandër Xhuvani” ka rrënjë të thella në traditën arsimore shqiptare, të lidhura ngushtë me historinë e Shkollës Normale, ndërsa theksoi se institucioni sapo kishte përcjellë në një ceremoni madhështore 2150 të diplomuar dhe vijon t’u shërbejë në formimin e tyre akademik më shumë se 8 mijë studentëve.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të saj iu kushtua integritetit si parim themelor i lidershipit.

“Në çdo vendimmarrje timen, parimi udhëheqës është një dhe i padiskutueshëm: integriteti. Autoriteti i një drejtuesi nuk buron nga pozicioni që mban, por nga qëndrueshmëria në parime, paanshmëria dhe koherenca midis asaj që beson, thotë dhe bën”, theksoi Prof. Dr. Fetahu.

Ajo nënvizoi se paqja nuk është thjesht mungesa e konflikteve, por një kulturë që ndërtohet çdo ditë përmes drejtësisë, tolerancës, empatisë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit.

Rektorja vuri gjithashtu theksin te gjithëpërfshirja si një prej shtyllave kryesore të strategjisë së saj drejtuese, duke u shprehur e angazhuar që universiteti të jetë një hapësirë ku çdo anëtar i stafit dhe veçanërisht çdo i ri të ketë akses, mundësi dhe të drejta të barabarta.

Sipas saj, drejtimi nuk lidhet vetëm me vendimmarrjen, por edhe me aftësinë për të dëgjuar, për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të krijuar hapësirë për mendime të ndryshme.

“Universiteti nuk duhet të jetë vetëm një vend ku transmetohet dija, por edhe një institucion ku kultivohen qytetaria, toleranca dhe përgjegjësia shoqërore”, u shpreh ajo.

Në përfundim të fjalës, Prof. Dr. Elvira Fetahu përcolli një mesazh të veçantë për brezin e ri, duke theksuar se shoqëria ka nevojë jo vetëm për njerëz të ditur, por edhe për individë me karakter, ndjeshmëri njerëzore dhe guximin për të mbrojtur të drejtën.

Ajo e pranoi titullin me mirënjohje, krenari dhe përulësi, duke u zotuar se do ta konsiderojë atë një angazhim të përditshëm në shërbim të dijes, njerëzve dhe së mirës së përbashkët.

Profili akademik i Prof. Dr. Elvira Fetahut

Vlerësimi me titullin “Ambasadore për Paqe” vjen pas një rrugëtimi të konsoliduar akademik, kërkimor dhe drejtues të Prof. Dr. Elvira Fetahut, e cila prej vitit 2024 mban detyrën e Rektore­s së Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

E diplomuar në Financë në vitin 2009, përmes një programi të dyfishtë studimi në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë dhe State University of New York – Empire State College në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vijoi formimin e saj akademik në fushën e ekonomisë dhe marketingut.

Në vitin 2015 mbrojti gradën shkencore Doktor në Marketing në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Rrugëtimi i saj kërkimor përfshiu gjithashtu studime dhe angazhime akademike në institucione prestigjioze ndërkombëtare, si Universiteti i Milanos në Itali dhe Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve në Flensburg të Gjermanisë.

Në vitin 2016 fitoi titullin akademik “Profesor i Asociuar”, ndërsa në vitin 2017 realizoi një periudhë postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, Itali. Në vitin 2024 fitoi titullin akademik “Profesor”.

Përpara se të merrte drejtimin e Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Fetahu kishte ushtruar detyrën e Zëvendësrektore­s për Kërkimin Shkencor, pozicion të cilin e mbajti nga viti 2020. Gjithashtu, gjatë periudhës 2016–2017, ka qenë lektore në Departamentin e Ekonomisë në Universitetin e Bolonjës.

Prej vitit 2013 është pjesë e ekipit të ekspertëve për reformën në arsimin e lartë, në kuadër të programit Erasmus+ HERE (Higher Education Reform Experts), duke kontribuar në proceset e zhvillimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Aktiviteti i saj akademik shtrihet edhe në kërkimin shkencor, publikime në revista ndërkombëtare dhe koordinimin e projekteve kombëtare e ndërkombëtare.

Ndër fushat kryesore të kërkimit të saj janë ekonomia, marketingu, tregu i punës, aftësitë profesionale, migracioni dhe riintegrimi, politikat arsimore dhe zhvillimi rajonal.

Ajo ka koordinuar dhe kontribuar në një sërë projektesh të mbështetura nga Bashkimi Evropian, Erasmus+, UNDP, Swiss Contact dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ndër projektet e rëndësishme ku ka pasur rol drejtues përfshihen nismat për integrimin e inteligjencës artificiale në arsimin e lartë, zhvillimin e kurrikulave universitare, promovimin e sportit dhe shëndetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe kërkimet mbi problematikat sociale, ekonomike dhe mjedisore në rajonin e Elbasanit.

Kontributi i saj në këto fusha dëshmon një profil akademik që ndërthur kërkimin shkencor me politikat arsimore, zhvillimin institucional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Shtatë personalitete të Elbasanit marrin titullin “Ambasador për Paqe”

Në kuadër të kësaj veprimtarie, Federata e Paqes Universale nderoi gjithsej shtatë personalitete të Elbasanit me titullin “Ambasador për Paqe”, në vlerësim të kontributeve të tyre në fusha të ndryshme të jetës publike, profesionale, arsimore, kulturore dhe sportive.

Përveç Rektores së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, titulli iu akordua edhe:
• Artin Kovaçit, Drejtues i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sportit në Elbasan.
• Dr. Rezarta Saliut, Zëvendësdrejtore e Spitalit Rajonal Elbasan.
• Elton Guranjakut, Drejtor Sportiv i AF Elbasani gjatë periudhës 2021–2026.
• Ermira Zenelit, drejtuese dhe mësuese me 25 vite përvojë në arsim.
• Enea Jorgjit, gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s dhe UEFA-s.
• Elton Allës, koreograf dhe drejtues i grupit “ArtRevolution Dance”.

Veprimtarinë e moderoi gazetari Fatmir Popja, njëherazi Kryetar i Këshillit Rajonal të Paqes Elbasan.

Të pranishmit u përshëndetën nga Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ish-Kryetari i Bashkisë Elbasan dhe ish-Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Prof. Dr. Ardian Turku, si dhe Kryetari i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri, Defrim Methasani.

Një prezantim mbi misionin, veprimtarinë dhe parimet e Federatës së Paqes Universale, si dhe lëvizjen ndërkombëtare të Ambasadorëve për Paqe, u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i FPU-së, Gani Rroshi.

Gjatë aktivitetit, Federata e Paqes Universale ndau gjithashtu Certifikata Mirënjohjeje për Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Prof. Dr. Ardian Turku, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre ndër vite.

Muzikë, valle dhe mesazhe paqeje në skenën e “Skampës”

Krahas momenteve të vlerësimit dhe fjalimeve përshëndetëse, aktiviteti mori edhe një dimension të veçantë artistik e emocional.

Grupi i valleve “ArtRevolution Dance”, nën drejtimin e koreografëve Marigen Rama dhe Elton Alla, solli performanca artistike që i dhanë gjallëri atmosferës festive të mbrëmjes.

Një tjetër moment domethënës ishte interpretimi i këngës “Moj e Bukura Arbëri” nga këngëtari i ri Arenc Abdiaj, duke përcjellë emocionin e identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

E konceptuar në kuadrin e festimeve të Nëntorit, veprimtaria synoi të ndërthurte simbolikën e Flamurit dhe të Pavarësisë me vlerat universale të lirisë, paqes, bashkëjetesës dhe harmonisë njerëzore.

Përmes nderimit të shtatë personaliteteve, organizatorët synuan të promovojnë shembuj pozitivë të angazhimit qytetar dhe profesional, duke vlerësuar njerëzit që përmes punës së tyre kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit.

Mesazhi që përcolli kjo veprimtari në Elbasan ishte se paqja nuk ndërtohet vetëm përmes deklaratave dhe ceremonive, por mbi të gjitha përmes edukimit, integritetit, respektit, tolerancës dhe përgjegjësisë që secili individ ka ndaj shoqërisë.

Në këtë kontekst, nderimi i Rektores Prof. Dr. Elvira Fetahu merr një domethënie të veçantë, duke vendosur në fokus edhe rolin e universiteteve si institucione që, përtej transmetimit të dijes, kanë misionin të formojnë qytetarë me kulturë demokratike, karakter dhe përgjegjësi shoqërore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tronditet Sopoti pas humbjes me Korabin, Rraman Hallaçi jep dorëheqjen: Lamtumirë me mesazh emocionues!

LIBRAZHD , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Një zhvillim i...

Tirana ndalet në Vorë, bardheblutë humbasin mundësinë për t’u ngjitur në renditje

TIRANË , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Java e 12-të...

Prokuroria e Elbasanit dhe AMP aksion në Gramsh, sekuestrojnë kokainë në banesat e dy personave nën arrest shtëpie

ELBASAN , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Prokuroria e Elbasanit,...