TIRANË , 20 nëntor 2026/Albania Express News/-Edhe Shqipëria ka rënë pre e alarmeve për bombë në ajër. Pas alarmeve që prekën shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian në fillim të muajit nëntor, mbrëmjen e të premtes alarmi është dhënë në një avion që udhëtonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Bëhet fjalë për një avion të Ryanair, të linjës Manchester-Rinas. Policia njofton se pasagjerët kishin gjetur një letër në tualetin e avionit, të shkruar në gjuhën angleze, me mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të të gjithë pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Gjatë kontrolleve të policisë dhe strukturës së Antiterrorit, me qen dhe skanerë, nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes. Kjo është hera e parë që vala e alarmeve për bomba në avionë apo aeroporte prek Shqipërinë, ku fatmirësisht, si në çdo rast tjetër në Evropë, gjithçka ka rezultuar alarm fals.armeve për bomba në avionë apo aeroporte prek edhe Shqipërinë, por fatmirësisht, edhe në këtë rast, gjithçka ka rezultuar alarm fals.
Njoftimi i policisë:
Rinas/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.

