TIRANË , 17 nëntor 2026/Albania Express News/-Numri i vizitorëve që qëndruan në strukturat akomoduese në Shqipëri shënoi rritje me 9,2% në shtator 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke konfirmuar ecurinë pozitive të sektorit të turizmit edhe në muajt pas sezonit veror.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja u evidentua si te vizitorët rezidentë, me 12,7%, ashtu edhe te vizitorët jorezidentë, me 8,1%.
Pozitive paraqitet edhe ecuria e netqëndrimeve, të cilat u rritën me 7,5% në total. Kontributin më të lartë në këtë tregues e dhanë vizitorët rezidentë, me një rritje prej 9,3%, ndërsa netqëndrimet e vizitorëve të huaj u shtuan me 6,9%.
Kosova vijon të mbajë vendin e parë ndër tregjet e huaja për turizmin shqiptar, duke përbërë 13% të vizitorëve jorezidentë të akomoduar në vend. Pas saj renditet Italia me 11%, Polonia me 10%, Franca me 9% dhe Gjermania me 8%. Vizitorët nga vendet e tjera përbëjnë 49% të totalit.
Të dhënat sipas rajoneve tregojnë se Rajoni i Jugut dhe ai i Veriut regjistruan rritje të numrit të vizitorëve, si rezidentë, ashtu edhe jorezidentë. Në Jug, vizitorët e huaj arritën në 157 616, nga 137 152 në shtator 2025, ndërsa në Veri u regjistruan 126 752, nga 106 385 një vit më parë.
Edhe zonat bregdetare vijojnë të mbeten një destinacion i rëndësishëm, me 298 422 vizitorë jorezidentë, kundrejt 276 989 në shtator 2025. Ndërkohë, në zonat jobregdetare u regjistruan 139 463 vizitorë të huaj.
Një tjetër tregues pozitiv lidhet me shfrytëzimin e kapaciteteve hoteliere. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 54%, nga 52,7% në shtator të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 1,3 pikë përqindjeje.
Sipas llojit të strukturave akomoduese, hotelet dhe strukturat e ngjashme mbeten zgjedhja kryesore e vizitorëve, me 515 049 vizitorë rezidentë dhe jorezidentë gjithsej në shtator 2026.

