NGA FATMIR POPJA
Rajan Dybeli realizon dopietë, Gean Ramadani vendos baraspeshën. Shqipëria U-17 përmbys disavantazhin dhe siguron tri pikë të rëndësishme në garën për kualifikimin në League A. Gjithçka vendoset më 17 nëntor ndaj Finlandës në “Elbasan Arena”.
Elbasan , 14 nëntor 2026/Albania Express News/-Kombëtarja shqiptare U-17 ka dhuruar një paraqitje mbresëlënëse, duke arritur një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Skocisë, me rezultatin 3-1, në ndeshjen e dytë të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, UEFA EURO 2027.
Në një sfidë me rëndësi të veçantë për objektivat e kuqezinjve, skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama tregoi karakter, reagim dhe vendosmëri, duke përmbysur disavantazhin fillestar dhe duke marrë tri pikë me shumë vlerë në Grupin 4.
Skocia shënon e para, Shqipëria reagon në pjesën e dytë
Takimi nisi më mirë për përfaqësuesen skoceze, e cila arriti të kalojë në avantazh që në minutën e 8-të. Ngwenya ishte autori i golit që i dha Skocisë epërsinë 1-0, duke vështirësuar përkohësisht objektivin e Shqipërisë.
Megjithatë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe vijuan të kërkonin golin e barazimit. Reagimi vendimtar erdhi në pjesën e dytë, kur në minutën e 60-të Gean Ramadani dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën në 1-1 dhe duke rihapur plotësisht takimin.
Dybeli vendos përmbysjen, dopietë në një fitore me shumë vlerë
Pas golit të barazimit, Shqipëria fitoi më shumë besim dhe intensifikoi sulmet drejt portës kundërshtare.
Në minutën e 72-të, Rajan Dybeli u shfaq protagonist, duke realizuar golin e dytë për kuqezinjtë dhe duke përmbysur rezultatin në 2-1.
Por sulmuesi shqiptar nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Në minutën e 90+4, Dybeli goditi sërish, duke realizuar golin e tretë dhe duke vulosur fitoren 3-1 të Shqipërisë ndaj Skocisë.
Një dopietë vendimtare për Dybelin, ndërsa goli i Ramadanit kompletoi një përmbysje të rëndësishme për skuadrën kuqezi.
Katër pikë në Grupin 4, gjithçka vendoset ndaj Finlandës në Elbasan
Me këtë fitore, Shqipëria U-17 shkon në kuotën e katër pikëve dhe renditet në vendin e dytë të Grupit 4, pas Finlandës, e cila kryeson me gjashtë pikë.
Dy skuadrat e para të çdo grupi do të sigurojnë kalimin në League A të raundit të dytë të kualifikueseve, ndaj sfida e fundit merr një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e kuqezinjve në këtë kompeticion.
Shqipëria do të përballet pikërisht me Finlandën më 17 nëntor, në orën 14:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Përfaqësuesja shqiptare do të kërkojë fitoren për të arritur kuotën e shtatë pikëve dhe për të siguruar vendin e parë në Grupin 4.
Pas reagimit të fortë ndaj Skocisë, shpresat janë që kuqezinjtë e vegjël të vijojnë me të njëjtin ritëm dhe të mbyllin me sukses këtë fazë kualifikuese, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt Europianit U-17.
Elbasani Arena bëhet sërish skena e një sfide vendimtare për futbollin e moshave shqiptare. Të gjithë sytë nga 17 nëntori dhe dueli Shqipëri-Finlandë!


