Afro 6 kilometra rrugë drejt asfaltimit në tetë fshatra të Dumresë, Ermal Elezi inspekton punimet në terren
BELSH , 14 nëntor 2026/Albania Express News/-Projekti përfshin Shegasin, Gurin e Bardhë, Rrasën e Poshtme, Seferanin, Kosovën e Madhe, Fierzën, Dëshiranin dhe Dragotin. Deputeti socialist i Elbasanit ishte në terren së bashku me drejtuesin politik Arbjan Mazniku dhe Arif Tafanin.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonën e Dumresë ishte në fokus të një inspektimi të zhvilluar ditën e djeshme nga deputeti socialist i Elbasanit, Ermal Elezi, i cili shoqërohej nga drejtuesi politik Arbjan Mazniku dhe Arif Tafani.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Elezi bëri të ditur se inspektimi u përqendrua te punimet për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme të lagjeve, një projekt që parashikon ndërhyrje në afro 6 kilometra rrugë.
Investimi përfshin tetë fshatra të zonës së Dumresë: Shegas, Guri i Bardhë, Rrasë e Poshtme, Seferan, Kosovë e Madhe, Fierzë, Dëshiran dhe Dragot.
Sipas deputetit, këto segmente rrugore kanë qenë prej vitesh të pashtruara ose të amortizuara, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e përditshme të banorëve.
Aktualisht, një pjesë e rrugëve ka përfunduar, ndërsa në segmentet e tjera vijojnë punimet. Elezi thekson se të gjitha rrugët e parashikuara në projekt do të asfaltohen.

Ndërhyrja synon përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe lehtësimin e komunikimit për banorët e këtyre fshatrave, duke adresuar një problematikë të trashëguar prej vitesh në infrastrukturën rurale të zonës.
Deputeti Ermal Elezi ka bërë të ditur se puna do të vijojë me fokus te përmirësimi i infrastrukturës në çdo fshat dhe në shërbim të komunitetit.

