Shefi i Komisariatit të Policisë Elbasan zhvillon takime me drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit në pesë institucione arsimore. Bashkëpunimi polici-shkollë-familje, një element kyç për krijimin e një mjedisi të sigurt për të rinjtë.
ELBASAN , 12 nëntor 2026/Albania Express News/-Siguria e nxënësve në institucionet arsimore dhe parandalimi i fenomeneve që cenojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor kanë qenë në qendër të një angazhimi të ri të Komisariatit të Policisë Elbasan.
Në kuadër të këtij objektivi, shefi i Komisariatit të Policisë Elbasan, Kryekomisar Oltion Demiraj, së bashku me shërbimet e policisë, ka zhvilluar një sërë takimesh në pesë institucione arsimore të qytetit: shkollat “Dhaskal Todri”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Mahmud e Ali Cungu”, “Sul Misiri” dhe “Xhaferr Hakani”.

Gjatë bashkëbisedimeve me drejtuesit e shkollave, stafet pedagogjike dhe nxënësit, vëmendje e veçantë iu kushtua situatës së sigurisë brenda ambienteve shkollore, në perimetrin përreth tyre, si dhe në hapësirat e tjera ku kalojnë kohën të rinjtë.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte parandalimi i konflikteve mes bashkëmoshatarëve, evidentimi dhe trajtimi në kohë i problematikave, si dhe fenomeni shqetësues i bullizmit, veçanërisht në hapësirën digjitale dhe rrjetet sociale.
Kryekomisar Oltion Demiraj dhe efektivët e policisë kanë përcjellë mesazhin se siguria në shkolla kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm, komunikim të hapur dhe reagim në kohë ndaj çdo shqetësimi që mund të paraqitet nga nxënësit apo stafet arsimore.

Në këtë drejtim, rëndësi iu kushtua edhe nxitjes së besimit të të rinjve te Policia e Shtetit, duke i inkurajuar ata të bashkëpunojnë me efektivët dhe të raportojnë çdo rast problematik, pa hezitim dhe në kohën e duhur.
Policia e Elbasanit bën të ditur se bashkëpunimi me institucionet arsimore, nxënësit dhe prindërit do të vijojë edhe në vazhdim, me synimin për të parandaluar fenomenet negative dhe për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për komunitetin shkollor.
Angazhimi në terren i strukturave të policisë synon jo vetëm reagimin ndaj problematikave, por edhe forcimin e mekanizmave parandalues, për një shkollë ku nxënësit të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt.


