Prefektët Ilir Bejtja dhe Florinda Zegullaj koordinojnë masat me Policinë Rrugore dhe firmën mirëmbajtëse për parandalimin e bllokimit të një prej akseve të rëndësishme rrugore të vendit.
- ELBASAN – KORÇË , 12 nëntor 2026/Albania Express News/-Me afrimin e sezonit të dimrit dhe përkeqësimin e pritshëm të kushteve atmosferike, institucionet përgjegjëse kanë nisur koordinimin e masave për të garantuar qarkullimin normal dhe sigurinë në aksin rrugor që të çon drejt Doganës së Qafë Thanës.

Në ambientet e Prefekturës së Qarkut Elbasan u zhvillua një takim pune mes Prefektit të Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, dhe Prefektes së Qarkut Korçë, Florinda Zegullaj. Në qendër të diskutimeve ishte bashkërendimi i veprimeve për parandalimin e bllokimit të këtij aksi rrugor gjatë muajve të dimrit, veçanërisht në rastet e reshjeve të dendura të dëborës, ngricave dhe kushteve të vështira atmosferike.
Në takim morën pjesë përfaqësues të firmës mirëmbajtëse “2T”, përfaqësues të Policisë së Qarkullimit Rrugor, përgjegjësit e Emergjencave Civile, si dhe Sekretarët e Përgjithshëm të të dy Prefekturave.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përcaktimin e përgjegjësive dhe koordinimin e ndërhyrjeve në kohë, me qëllim shmangien e situatave problematike që mund të pengojnë lëvizjen e automjeteve dhe transportin e mallrave.
Aksi drejt Qafë Thanës ka rëndësi të veçantë për qarkullimin kombëtar dhe ndërkufitar, pasi përbën një nga lidhjet kryesore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Mesazhi kryesor i këtij takimi është qartësimi i masave parandaluese dhe gatishmëria e institucioneve për të reaguar në kohë, në mënyrë që sezoni dimëror të mos kthehet në një pengesë për qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve.


