Këshilli Bashkiak akordon 1 milion lekë për subvencionimin e qirasë gjatë dy muajve të mbetur të vitit 2026. Mbështetja për familjet do të vijojë edhe gjatë vitit 2027.
ELBASAN, 10 nëntor 2026 / Albania Express News/ – Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar sot bonusin e qirasë për dy muajt e mbetur të këtij viti për 15 familjet e prekura nga dëmtimi i pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, duke u ardhur në ndihmë banorëve që janë detyruar të largohen nga apartamentet e tyre për shkak të situatës së krijuar.
Në mbledhjen e sotme është miratuar fondi prej 1 000 000 lekësh të reja (10 milionë lekë të vjetra), i cili do të përdoret për subvencionimin e qirasë gjatë dy muajve të mbetur të këtij viti kalendarik.
Ndërkohë, financimi për periudhën në vijim do të parashikohet në buxhetin e Bashkisë së Elbasanit për vitin 2027, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së mbështetjes për familjet e prekura.
Sa do të jetë bonusi i qirasë?
Sipas të dhënave të bëra publike pas testimit të tregut të lirë të apartamenteve, janë evidentuar këto nivele mesatare qiraje, në varësi të strukturës së banesës dhe numrit të banorëve:
- Apartamente 1+1: nga 15 000 deri në 25 000 lekë në muaj.
- Apartamente 2+1: nga 25 000 deri në 35 000 lekë në muaj.
Këto referenca do të shërbejnë për përcaktimin e subvencionit të qirasë për secilën familje, sipas numrit të anëtarëve dhe nevojave për strehim.
Vendimi i Këshillit Bashkiak synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve të prekura, duke u siguruar atyre një zgjidhje të përkohshme strehimi deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe zgjidhjen përfundimtare të situatës së krijuar nga dëmtimi i pallatit.
Bashkia e Elbasanit dhe Qeveria Shqiptare kanë deklaruar angazhimin për të qenë pranë banorëve gjatë gjithë kësaj periudhe, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.


