Akademia e Sigurisë forcon partneritetin me SHBA-në, bashkëpunim me FLETC për standardet ndërkombëtare të formimit polico

TIRANË, 10 nëntor 2026 / Albania Express News – Akademia e Sigurisë e Policisë së Shtetit synon të rrisë më tej standardet e formimit dhe specializimit policor përmes forcimit të bashkëpunimit me institucionet amerikane. Në këtë kuadër, rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, zhvilloi një vizitë pune në kampusin kryesor të Qendrave Federale të Trajnimit për Zbatimin e Ligjit (FLETC), në Glynco, Georgia, SHBA.

Gjatë takimit me Drejtorin e Asociuar për Trajnimin dhe drejtues të lartë të FLETC-it, u diskutua mbi ecurinë e partneritetit dypalësh dhe rezultatet e arritura që prej vizitës së parë të Akademisë së Sigurisë në këtë institucion në vitin 2024.

Një ndër rezultatet më të rëndësishme të bashkëpunimit është mbështetja për standardizimin dhe përmirësimin e trajnimeve profesionale, si dhe kontributi në procesin e akreditimit ndërkombëtar nga IADLEST. Akademia e Sigurisë është vlerësuar me nivelin më të lartë, “Ekselencë”, duke u renditur ndër katër akademitë e para të akredituara ndërkombëtarisht.

Gjatë konsultimeve profesionale me departamentet dhe njësitë e specializuara të FLETC-it, vëmendje e veçantë iu kushtua përditësimit të kurrikulave dhe zhvillimit të aftësive në fusha të rëndësishme të zbatimit të ligjit.

Diskutimet përfshinë hetimin e krimeve financiare dhe pastrimin e parave, krimin kibernetik, hetimet teknike, shkencat ligjore, administrimin e vendit të ngjarjes, përdorimin e dronëve, si dhe zhvillimin e lidershipit në strukturat policore.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte zgjerimi i mundësive për trajnime të specializuara, të cilat mund të përfshijnë jo vetëm Policinë e Shtetit, por edhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, SPAK-un, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe institucione të tjera ligjzbatuese.

Në përfundim të vizitës, rektori Prof. Ilirjan Mandro shprehu mirënjohjen për drejtuesit dhe ekspertët e FLETC-it, si dhe për programet ICITAP dhe INL, për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve shqiptare.

Partneriteti me institucionet amerikane përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e formimit policor në Shqipëri, duke synuar përgatitjen e profesionistëve të aftë për t’u përballur me sfidat e krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe veprimtarisë së organizatave kriminale transnacionale.

Akademia e Sigurisë synon të vijojë zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, me fokus te dijet, teknologjia, profesionalizmi dhe përafrimi me standardet bashkëkohore të sigurisë.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama së bashku me bashkëshorten në Pallatin Elize, Macron i pret në mbrëmjen presidenciale në Paris

TIRANË , 10 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Librazhdi përkujton 82-vjetorin e çlirimit, nderim dhe homazhe për dëshmorët e atdheut

LIBRAZHD, 10 nëntor 2026 / Albania Express News –...

Elbasan, miratohet bonusi i qirasë për 15 familjet e prekura nga dëmtimi i pallatit në lagjen “Qemal Stafa”

Këshilli Bashkiak akordon 1 milion lekë për subvencionimin e...