Ministri Toni Gogu në Romë, Shqipëria dhe Italia synojnë forcimin e bashkëpunimit në drejtësi

ROMË, 10 nëntor 2026 / Albania Express News – Forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë, mbështetja italiane për integrimin europian të Shqipërisë dhe shkëmbimi i përvojave institucionale ishin në qendër të vizitës zyrtare të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në Romë.

Ministri Gogu nisi sot një vizitë pune dyditore në kryeqytetin italian, gjatë së cilës zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve politike dhe gjyqësore të Italisë.

Në ditën e parë të vizitës, Gogu u takua me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Senatit italian, Maurizio Gasparri, presidentin e shtuar të Gjykatës së Kasacionit, Stefano Mogini, si dhe kryetarin e Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Deputetëve, Ciro Maschio.

Diskutimet u përqendruan në disa çështje me rëndësi për zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Një ndër temat kryesore ishte mbështetja e Italisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe shkëmbimi i përvojave për rikthimin e pasurive të konfiskuara nga aktivitetet kriminale në shërbim të komuniteteve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu bashkëpunimit institucional ndërmjet Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe Gjykatës së Kasacionit në Itali, si dhe përvojës italiane në zbatimin e reformave që synojnë shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi.

Gjatë takimeve, ministri Gogu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fazën aktuale të zhvillimit të institucioneve shqiptare të drejtësisë.

“Shqipëria ka ndërtuar institucione të reja drejtësie. Tani provohet aftësia e tyre për të bashkëpunuar dhe për të dhënë rezultate sipas standardeve europiane. Italia është partner i rëndësishëm në këtë rrugë”, u shpreh ministri Gogu.

Vizita e ministrit të Drejtësisë në Itali do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme, me takime të nivelit të lartë, ku është parashikuar një takim me ministrin e Drejtësisë të Italisë, Carlo Nordio, si dhe me presidentin e Shkollës së Magjistraturës, Mauro Paladini.

Këto takime pritet të shërbejnë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, forcimin e lidhjeve mes institucioneve homologe dhe shkëmbimin e praktikave që lidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe përgatitjen profesionale të magjistratëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Asambleja Kombëtare e PS më 14 nëntor në Lalëz, zbardhet mesazhi që u është dërguar anëtarëve

TIRANË , 10 nëntor 2026/Albania Express News/-Partia Socialiste do...

Maksim Et’hemaj largohet nga drejtimi i Autoritetit të Aviacionit Civil

TIRANË , 10 nëntor 2026/Albania Express News/-Maksim Et’hemaj ka...