Në foto :Administratori i “R.S. KOLI ” z.Sokol Sade dhe Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Blerina Gjylameti
Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti në Panairin Klik Ekspo Group, prezantoi vizionine AKU për sigurinë ushqimore dhe vizitoi stendat e prodhuesve shqiptarë në Pallatin e Kongreseve. Bashkëpunimi me biznesin ushqimor, garantimi i sigurisë së produkteve dhe përafrimi me standardet europiane në fokus të prioriteteve të institucionit.
TIRANË 08 nëntor 2026 /Albania Express News/-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë pjesë të angazhimeve të tij në Panairin Klik Ekspo Group promovimin e sigurisë ushqimore, mbështetjen e operatorëve të biznesit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij panairi, i organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Blerina Gjylameti, zhvilloi një vizitë në stendat ku ishin ekspozuar prodhime të ndryshme shqiptare nga sipërmarrje të njohura edhe në tregun ndërkombëtar nga Qarku i Elbasanit dhe jo vetëm , duke u njohur nga afër me produktet, aktivitetin dhe potencialin e bizneseve pjesëmarrëse.

Gjatë vizitës dhe komunikimit të saj në këtë aktivitet, Gjylameti ndau vizionin dhe prioritetet e AKU-së, duke vënë theksin te garantimi i sigurisë ushqimore në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, si një element thelbësor për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe rritjen e besimit te produktet që qarkullojnë në treg.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua gjithashtu bashkëpunimit me operatorët e biznesit ushqimor. Sipas vizionit të prezantuar nga drejtuesja e AKU-së, marrëdhënia mes institucioneve përgjegjëse dhe sipërmarrjeve duhet të mbështetet në komunikim të vazhdueshëm, përgjegjësi të përbashkët dhe zbatim të standardeve të sigurisë ushqimore.

Integrimi europian, sfidë dhe mundësi për prodhuesit shqiptarë
Një nga çështjet kryesore të trajtuara gjatë këtij aktiviteti ishte edhe procesi i integrimit europian dhe ndikimi i tij në zhvillimin e sektorit agro-ushqimor shqiptar.
Drejtoresha e AKU-së vlerësoi se integrimi europian përbën një sfidë të rëndësishme për agrobiznesin vendas, por njëkohësisht hap mundësi të reja për zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe prezantimin e produkteve shqiptare në tregjet e Bashkimit Europian.
Përmbushja e kërkesave europiane për cilësinë, gjurmueshmërinë, higjienën dhe sigurinë ushqimore është një ndër elementet që mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve shqiptarë.

Në këtë kontekst, roli i AKU-së është i rëndësishëm jo vetëm në drejtim të kontrollit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit për sigurinë ushqimore, por edhe në ndërgjegjësimin dhe orientimin e operatorëve drejt standardeve që kërkon tregu europian.
Klik Ekspo Group, një hapësirë promovimi për prodhimin vendas
Pjesëmarrja e bizneseve shqiptare në Panairin Klik Ekspo Group krijon mundësi për prezantimin e produkteve, shkëmbimin e përvojave, krijimin e kontakteve të reja tregtare dhe promovimin e kapaciteteve prodhuese të vendit.

Përmes ekspozimit të produkteve vendase, panairi shërben si një platformë komunikimi mes sipërmarrjeve, institucioneve dhe konsumatorëve, duke evidentuar potencialin e sektorit agro-ushqimor shqiptar.
Vizita e drejtueses së AKU-së dhe mesazhet e përcjella prej saj e vendosin në vëmendje rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë mes institucioneve dhe biznesit, me synim garantimin e produkteve të sigurta, rritjen e cilësisë dhe krijimin e kushteve për një prani më të gjerë të prodhimeve shqiptare në tregjet europiane.
Siguria ushqimore dhe standardizimi mbeten kështu dy elemente thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të agrobiznesit dhe forcimin e imazhit të prodhimit shqiptar përtej kufijve të vendit.




