Tiranë, 7 nëntor 2026 / Albania Express News – Florian Pullazi është emëruar administrator i ri i shoqërisë shtetërore të sigurisë “Illyrian Guard” Sh.a., duke marrë drejtimin e institucionit përgjegjës për ofrimin e shërbimeve të sigurisë fizike për institucionet publike dhe subjektet private.
Administratori i ri është prezantuar zyrtarisht nga zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, në prani të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, Kledia Ngjela, dhe këshilltares Arlinda Topçiu.
Sipas njoftimit institucional, ndryshimi në drejtimin e shoqërisë vjen në kuadër të vijimësisë së organizimit dhe funksionimit të saj, me synim forcimin e strukturave organizative, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit.
Florian Pullazi njihet për angazhimin e tij të gjatë në strukturat drejtuese të pushtetit vendor, ku ka ushtruar funksionin e administratorit të Njësisë Administrative Nr. 2 në Tiranë.
I rritur në kryeqytet, Pullazi ka pasur një angazhim shumëvjeçar në jetën politike dhe në strukturat e Partisë Socialiste, duke e konsideruar politikën si një instrument për të sjellë ndryshime në shoqëri.
Me marrjen e detyrës së re, ai do të jetë në krye të një shoqërie me përgjegjësi të rëndësishme në garantimin e sigurisë fizike dhe mbrojtjen e institucioneve e subjekteve që kanë kontraktuar shërbimet e saj.

