ELBASAN , 5 nëntor 2026 / Albania Express News /-Shpërthimi shkatërrues në lagjen “Beqir Dardha” merr një tjetër jetë njerëzore. Pas një operacioni të pandërprerë gjatë gjithë natës, ekipet e kërkim-shpëtimit lokalizojnë trupin e të moshuarit. Më herët humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.
Bilanci i tragjedisë që tronditi Elbasanin mesditën e së mërkurës rëndohet edhe më shumë. Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh intensive dhe një operacioni të vështirë kërkim-shpëtimi, është gjetur i pajetë nën rrënojat e pallatit 69-vjeçari Hamit Ibra, i cili rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit të fuqishëm në lagjen “Beqir Dardha”.
Pritja e gjatë dhe ankthi i familjarëve kanë përfunduar në mënyrën më tragjike. Gjetja e trupit të 69-vjeçarit e çon në dy numrin e viktimave nga kjo ngjarje e rëndë, pasi më herët kishte humbur jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

17 orë operacion nën rrënoja, angazhohen edhe Forcat e Armatosura
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje u angazhuan shërbimet zjarrfikëse, strukturat e emergjencave civile dhe Policia e Shtetit. Për shkak të përmasave të shkatërrimit dhe rrezikut që paraqiste godina, operacionit iu bashkuan edhe Forcat e Armatosura.
Në kërkim të 69-vjeçarit u angazhuan dy ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, me gjithsej 17 efektivë, të cilët punuan pa ndërprerje edhe gjatë orëve të natës.
Operacioni u zhvillua në kushte tejet të vështira, duke kërkuar ndërhyrje të kujdesshme për shkak të dëmtimeve të rënda të strukturës së pallatit dhe rrezikut të shembjeve të tjera.
Për lokalizimin dhe nxjerrjen e personit të zhdukur u përdorën pajisje të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, mjete për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e strukturave të rënda.

25 zjarrfikës dhe pesë mjete në operacion, evakuohen mbi 10 banorë
Që në momentet e para pas marrjes së njoftimit, Shërbimi Zjarrfikës i Elbasanit ndërhyri me pesë mjete dhe 25 punonjës, duke u përballur me një situatë tepër emergjente.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme u bë i mundur evakuimi i më shumë se 10 banorëve nga katet e larta të pallatit, mes tyre të moshuar dhe fëmijë. Për nxjerrjen e tyre në kushte sigurie u përdor edhe shkalla e emergjencës.
Ndërkohë, banorët që pësuan asfiksi të lehtë morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, pas trajtimit, u rikthyen pranë familjarëve.
Sipas informacionit të bërë publik nga strukturat zjarrfikëse, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbi jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e shpërthimit dhe jo nga flakët e zjarrit.

Pamje shkatërrimi, pallati pëson dëmtime të rënda strukturore
Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi shkatërrime të konsiderueshme në apartamentin ku ndodhi ngjarja, duke dëmtuar rëndë muret, shkallët dhe pjesë të tjera të strukturës së ndërtesës.
Pamjet nga vendngjarja dëshmojnë përmasat e jashtëzakonshme të dëmeve, ndërsa banorët e pallatit dhe familjarët e personave të prekur kaluan orë të tëra ankthi, frike dhe pasigurie.
Me gjetjen e trupit të pajetë të Hamit Ibrës merr fund operacioni i kërkimit për 69-vjeçarin, por jo dhimbja e një komuniteti të tërë që u zgjua përballë një tragjedie të rëndë.
Ndërkohë, autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta të shpërthimit, si dhe për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve strukturore të pallatit.



