ELBASAN, 30 tetor 2026 /Albania Express News/-Elbasani mirëpriti Takimin e IV të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri, një forum dialogu mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe pushtetit vendor, ku në fokus ishte roli i qeverisjes vendore në procesin e integrimit evropian. Në takim morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, bashkëkryetari i Komitetit, Antonio Mazzeo, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe evropiane.
Në fjalën e tij, Llatja theksoi se integrimi evropian nuk ndërtohet vetëm në nivel qendror, por edhe përmes punës së përditshme të bashkive, shërbimeve për qytetarët dhe forcimit të institucioneve vendore.
Përfaqësues të bashkive shqiptare dhe atyre të BE-së diskutuan mbi rolin e autoriteteve vendore në procesin e anëtarësimit dhe zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të transportit.
“Demokracia vendore luan një rol kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Demokracia nënkupton gjithashtu aftësinë e qytetarëve për të kuptuar dhe ndikuar në politikat që nga niveli vendor. Autoritetet vendore duhet të angazhojnë të rinjtë dhe t’i bëjnë ata protagonistë të ndërtimit të demokracisë, pavarësisht se ku jetojnë. Le t’i mbajmë dyert e bashkive të hapura”, u shpreh Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.


