TIRANË, 30 tetor 2026 /Albania Express News/-Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri sot të ditur se ka përfunduar edhe Loti 2 i rrugës Papër–Ura e Grykshit.
Segmenti, me gjatësi 1.8 kilometra, shtrihet në krahun e majtë të lumit Shkumbin dhe përfshin, në kilometrin e 15-të, një urë 330 metra të gjatë, si dhe vepra të tjera infrastrukturore, si tombino, mure mbajtëse dhe pritëse.
Sipas Kozelit, përfundimi i këtij loti sjell një sërë përfitimesh për përdoruesit e rrugës, rrit sigurinë rrugore dhe lehtëson lidhjen ndërmjet zonave.
Segmenti është pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore i cili po ndërtohet si pjesë integruese e Korridorit VIII autostradal (segmenti Elbasan – Rrogozhinë).
Plani parashikon shtrirjen e autostradës nga Ura e Grykshit drejt Peqinit. Ky aks do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit dhe Portit të ri të Porto Romanos, duke shërbyer gjithashtu si një korridor i rëndësishëm sigurie i lidhur me rrjetet panevropiane.

