Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Armand Çakalli, zhvilloi një takim pune me Rektoren e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, znj. Elvira Fetahu, në kuadër të nismave për promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit të hendbollit në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me synim krijimin e urave të reja të komunikimit dhe bashkërendimit për të nxitur përhapjen e hendbollit, përfshirjen e të rinjve në aktivitetet sportive dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe sportit.

Një nga hapat e rëndësishëm që pritet të konkretizojë këtë bashkëpunim është nënshkrimi, në një të ardhme të afërt, i një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Aleksandër Xhuvani” dhe Federatës Shqiptare të Hendbollit. Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për promovimin e hendbollit, zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe angazhimin më të madh të studentëve e të rinjve në këtë disiplinë.
Elbasani, me traditën dhe potencialin e tij në fushën e arsimit dhe sportit, mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e bazës së sportistëve dhe në evidentimin e talenteve të reja. Bashkëpunimi mes Federatës dhe Universitetit pritet të shërbejë si një mundësi konkrete për të afruar më shumë të rinj me hendbollin dhe për të nxitur iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e tij në nivel kombëtar.

Ky takim përbën një hap pozitiv drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të mundësive të reja për sportin shqiptar, me synimin që hendbolli të fitojë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën sportive dhe universitare.
Federata Shqiptare e Hendbollit vijon angazhimin për krijimin e partneriteteve të reja dhe për promovimin e hendbollit në të gjithë vendin, duke e konsideruar bashkëpunimin me institucionet arsimore një element të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sporti.


