Nga Sejdin Cakani
TIRANË, 21 tetor 2026 /Albania Express News/-Këto ditë protestash, një reflektim që kam shkruar disa muaj më parë për politikën shqiptare që prodhon urrejtje, më duket më aktual se kurrë. Sepse ajo që po ndodh sot nuk është thjesht një përplasje politike. Është një moment që na detyron të ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë shoqërie duam të ndërtojmë dhe, mbi të gjitha, drejt çfarë të ardhmeje po shkojmë.
A mund të quhet protestë demokratike djegia dhe shkatërrimi i bankave, gjykatave, bizneseve, semaforëve dhe stacioneve të autobusëve? Çfarë lidhjeje kanë këto akte me kërkesën për drejtësi, për ndëshkimin e korrupsionit qeveritar, për përgjegjësi politike apo ndryshim të pushtetit? Mbi të gjitha, çfarë fitojnë qytetarët nga shkatërrimi i pronës publike dhe private, përveç pasigurisë, frikës dhe dëmit që, në fund të fundit, e paguajmë të gjithë?
Por ajo që shqetëson edhe më shumë është mungesa e një thirrjeje të qartë dhe të vendosur nga partitë opozitare për t’i ndalur këto akte. Në këto javë protestash, nuk kemi dëgjuar një qëndrim të përbashkët e të prerë që ta vendosë vijën e kuqe mes protestës demokratike dhe dhunës shkatërruese.
Ndërkohë, në Francë dhe Itali, partitë opozitare kanë dënuar djegiet dhe shkatërrimet e pronës publike e private. Sepse, pavarësisht dallimeve politike, atje ekziston një parim që i bashkon të gjithë: pakënaqësia politike nuk mund të jetë justifikim për dhunën.
Opozita ka të drejtën dhe detyrimin të kundërshtojë qeverinë, të denoncojë padrejtësitë dhe të kërkojë ndryshimin e saj. Por ka edhe përgjegjësinë që të mos e relativizojë dhunën, të mos heshtë përballë shkatërrimit dhe të mos e shndërrojë zemërimin qytetar në një instrument për përfitime politike.
Fatkeqësisht, politika jonë vazhdon ta amplifikojë urrejtjen, ta ushqejë atë dhe, më e rënda, t’ua transmetojë të rinjve. Në vend që t’u ofrojë atyre ide, shpresë, vizion dhe besim tek institucionet, shpesh i shtyn drejt përplasjes, armiqësisë dhe bindjes se kundërshtari politik është armik që duhet asgjësuar.
Çfarë mesazhi po u japim të rinjve tanë? Se gjithçka lejohet për të ardhur në pushtet? Se kundërshtari nuk duhet bindur, por duhet urryer? Apo edhe se institucionet mund të shkatërrohen, kur nuk na pëlqejnë dhe se dhuna mund të justifikohet kur na shërben politikisht?
Nëse ky është mesazhi që përcjellim, atëherë problemi ynë është shumë më i thellë se një krizë e radhës politike. Ajo është një krizë e kulturës demokratike, e përgjegjësisë publike dhe e mënyrës se si e kuptojmë bashkëjetesën në një shoqëri të lirë.
Unë, si qytetar i këtij vendi, kam qenë që në fillim dhe vazhdoj të jem për një zgjidhje politike. Kam besuar dhe besoj se, edhe në situatat më të vështira, duhet të kërkojmë një formulë zgjidhjeje brenda rregullave demokratike. Kjo formulë mund të përfshijë dialogun, kompromisin, garancitë institucionale dhe, nëse rrethanat e kërkojnë, edhe dorëheqjen si akt përgjegjësie politike.
Nuk ka asgjë të pandershme në kërkimin e një zgjidhjeje politike. Përkundrazi, kjo është shenjë pjekurie demokratike.
Pushtetet nuk janë të përjetshme, postet nuk janë pronë personale dhe asnjë interes politik nuk mund të vendoset mbi interesin e vendit.
Por një zgjidhje e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi urrejtjen. Urrejtja që nxit politika, prodhon dhe ushqen vetëm dhunë. Ajo mund të mobilizojë turmat, por nuk ndërton institucione të forta, nuk krijon drejtësi dhe nuk sjell mirëqenie. Përkundrazi, lë pas plagë shoqërore, ndarje dhe një brez të tërë që rrezikon të humbasë besimin te demokracia.
Politika duhet të jetë arti i gjetjes së zgjidhjeve e jo të nxitë konflikte. Ajo duhet të krijojë hapësira ku përballen idetë dhe jo vendi ku ushqehet urrejtja. Prandaj, ata që kërkojnë të drejtojnë vendin duhet ta kuptojnë se përgjegjësia e tyre nuk mbaron te mobilizimi i mbështetësve, por përfshin edhe pasojat e mesazheve dhe të veprimeve të tyre.
Prandaj, sot, nuk mund t’i shmangim disa pyetje themelore. Si do të vazhdojmë në këtë situatë absurde? Deri kur do të lejojmë që interesat për pushtet të mbizotërojnë mbi interesin publik?
Çfarë vendi do t’u lëmë të rinjve tanë, nëse u mësojmë se urrejtja është mjet politik dhe shkatërrimi është formë proteste?
Dhe, mbi të gjitha, ku po shkojmë?
Ky vend nuk ka nevojë për më shumë urrejtje. Ka nevojë për më shumë përgjegjësi, më shumë dialog, më shumë drejtësi dhe më shumë respekt për rregullat demokratike.
Sepse pushteti mund të fitohet në shumë mënyra, por një vend nuk ndërtohet duke shkatërruar atë që u përket të gjithëve.
Dhe nëse politika nuk e kupton këtë sot, nesër mund të jetë tepër vonë për të riparuar dëmin që po i bëjmë shoqërisë sonë.
Përvojat e demokracive funksionale tregojnë se një shoqëri mund të ketë konflikte të forta politike, por nuk lejon të kalohet në urrejtje. Po ashtu, qytetarët, e sidomos të rinjtë, nuk trajtohen si ushtri militantësh, por si individë të lirë që gjykojnë, kundërshtojnë dhe kërkojnë llogari.
Prandaj, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se e drejta për të protestuar është themelore dhe e patjetersueshme, ndërsa dhuna dhe shkatërrimi nuk mund të justifikohen si mjete për të ardhur në pushtet.

