TIRANË, 17 tetor 2026 /Albania Express News/-Protesta studentore e Tiranës ka zgjuar një revoltë pothuajse mbarëkombëtare, e cila sot për të disatën ditë radhazi është shtrirë në qendrat e qarqeve kryesore të vendit, duke përfshirë Elbasanin, Durrësin, Lezhën, Korçën dhe Vlorën.
Në kryeqytet, sot protestohet për të pesën ditë me radhë dhe protestës së studentëve, u janë bashkuar dhe prindërit e tyre, të cilët deklarojnë se nuk mund t’i lënë më ata vetëm duke pritur që pushteti të ndërrohet vetë.
Gjithashtu, në rrugët e Tiranës kanë dalë dhe vëllezër e motra më të rritur, të cilët deklarojnë se janë në krah të familjarëve të tyre, sepse sipas tyre tani problemi nuk është më vetëm i studentëve.
Në qytetet e tjera, protesta është në ditën e tretë ose të katërt, sepse aty revolta ka nisur pas Tiranës. Mediat lokale raportojnë se forcat policore në Lezhë, Durrës dhe Elbasan kanë nisur që në fillim me shoqërime, në tentativë për të mos lejuar masivizimin e revoltës.
Në jug të vendit, në Vlorë kauzës studentore u janë bashkuar dhe qindra qytetarë të cilët janë mbledhur para sheshit ku do të ndërtohet Muzeu Hebraik. Ata kanë kërkuar heqjen e rrethimit dhe ndalimin e menjëhershëm të projektit.
Policia e Vlorës, mbështetur dhe nga Forca Kombëtare e Sigurisë, me disa njësi të nisura nga Fieri, është përgjigjur me shoqërime.

