BULGARI, 13 tetor 2026 /Albania Express News/-BFS-ja po shqyrton mundësinë e afrimit të ish-trajnerit të Shqipërisë, por mediat bullgare japin versione të ndryshme për negociatat dhe shanset e tij për t’u emëruar.
Sylvinho rikthehet në qendër të vëmendjes së mediave ballkanike, këtë herë si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e kombëtares bullgare. Federata Bullgare e Futbollit (BFS) është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Aleksandër Dimitrovit, ndërsa emri i brazilianit po përmendet gjithnjë e më shumë në mediat vendase.
Sipas raportimeve të Match Telegraph, drejtuesit e futbollit bullgar janë të gatshëm t’i ofrojnë Sylvinhos një pagë prej 1 milion eurosh në vit, shifër që do të përbënte rekord për një trajner të kombëtares bullgare. Në këtë paketë financiare parashikohet të përfshihet edhe stafi teknik i tij. Presidenti i federatës, Georgi Ivanov, pritet të diskutojë mundësinë e emërimit me trajnerin brazilian në Milano, pasi oferta të shqyrtohet nga Komiteti Ekzekutiv. Sipas të njëjtave raportime, synimi i BFS-së është që Sylvinho të marrë drejtimin e skuadrës kombëtare nga 1 janari.

