TIRANË, 10 tetor 2026 /Albania Express News/-Shqipëria po promovon vlerat dhe ofertën e saj turistike në panairin “Wine Vision”, që po zhvillohet në Beograd, Serbi, përmes pjesëmarrjes së Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT).
Në kuadër të këtij aktiviteti, Shqipëria prezantohet në një stendë të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shfrytëzuar këtë platformë për të rritur dukshmërinë e destinacioneve shqiptare dhe për të prezantuar potencialet që vendi ofron për vizitorët nga tregjet rajonale dhe më gjerë.
Në qendër të prezantimit është oferta e larmishme turistike e Shqipërisë, e cila ndërthur bukuritë natyrore me pasurinë historike dhe kulturore.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit, i cili do të vijojë deri më 12 tetor 2026.
Pjesëmarrja e AKT-së në këtë aktivitet synon të krijojë më shumë hapësira për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik, si dhe të forcojë prezantimin e vlerave të saj në një treg me rëndësi për lëvizjet turistike rajonale.
Nga peizazhet malore dhe bregdeti, te qytetet historike, monumentet e trashëgimisë dhe traditat e ruajtura ndër breza, vendi ofron mundësi të ndryshme për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.
Një vend të veçantë në këtë prezantim zë edhe mjeshtëria artizanale, si pjesë e identitetit kulturor shqiptar. Punimet tradicionale dhe trashëgimia e përcjellë brez pas brezi përfaqësojnë një element të rëndësishëm të ofertës turistike, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen më nga afër me kulturën dhe traditat vendase.
Panaire të tilla shërbejnë si platforma për prezantimin e produkteve dhe destinacioneve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e kontakteve mes aktorëve të sektorit të turizmit. Për Shqipërinë, prania në aktivitete ndërkombëtare përbën një mundësi për të zgjeruar njohjen e ofertës turistike dhe për të promovuar përvoja që ndërthurin natyrën, kulturën, traditat dhe mikpritjen.
Përmes pjesëmarrjes në “Wine Vision”, Agjencia Kombëtare e Turizmit vijon përpjekjet për të prezantuar potencialet e vendit dhe për të forcuar pozicionimin e Shqipërisë në tregjet rajonale, duke vënë në pah larminë e përvojave që mund të ofrojë për vizitorët vendas dhe të huaj.

