GRAMSH, 7 tetor 2026 /Albania Express News/- Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Gramsh vijon edhe këtë vit nismën për mbështetjen e grave në kryerjen e mamografisë, duke ofruar transport falas drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit.
Nisma, e cila tashmë është kthyer në një traditë prej pesë vitesh, synon të lehtësojë aksesin e grave dhe nënave të moshës 45 deri në 65 vjeç në shërbimet e depistimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Sipas NJVKSh Gramsh, transporti falas do të mundësohet për gratë që dëshirojnë të kryejnë mamografinë në Spitalin Rajonal Elbasan, duke u krijuar mundësinë të përfitojnë nga shërbimi pa pasur pengesën e transportit.
“Në këtë muaj simbol të forcës, kurajos dhe kujdesit, NjVKSh Gramsh vazhdon traditën e bukur të pesë viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Në kuadër të përpjekjeve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe depistimit të hershëm, gjatë këtij viti 310 gra janë depistuar me anë të mamografisë së lëvizshme në ambientet e NJVKSh Gramsh.
NJVKSh Gramsh u bën thirrje grave të moshës së përcaktuar që të mos e neglizhojnë kontrollin periodik dhe të përfitojnë nga kjo mundësi, duke e konsideruar diagnostikimin e hershëm një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit.
Për të siguruar një vend në transportin falas, gratë e interesuara mund të regjistrohen pranë NJVKSh Gramsh ose të kontaktojnë në numrin e telefonit 069 929 7614.
Nisma synon të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes në programet e depistimit dhe në forcimin e kulturës së kujdesit dhe kontrollit të rregullt shëndetësor tek gratë.
Kujdesi për shëndetin dhe diagnostikimi në kohë mbeten ndër hapat më të rëndësishëm për një jetë më të shëndetshme.

