ELBASAN, 1 tetor 2026 /Albania Express News/- Një zjarr i dyshuar se është shkaktuar nga goditja e rrufesë vijon të jetë aktiv prej rreth 48 orësh në një masiv pyjor me pisha në Caush në zonën e Shpatit, në bashkinë Elbasan.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej të paktën 5 dynymësh, në një lartësi mbi 1400 metra mbi nivelin e detit, duke e bërë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse pothuajse të pamundur për shkak të terrenit të thepisur dhe të vështirë.
Për përballimin e situatës janë mobilizuar rreth 100 forca, mes tyre punonjës të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Elbasan, forca të Ushtrisë, punonjës të bashkisë, shërbimit rural, si dhe banorë të zonës.
Puna e ekipeve në terren është përqendruar në izolimin e vatrave dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa ndërhyrja po kryhet kryesisht me mjete dhe punë manuale për shkak të pamundësisë së aksesit të mjeteve në këtë lartësi.
Sipas të dhënave nga terreni, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë e krijuar nga rrufeja. Deri tani, një pjesë e konsiderueshme e masivit me pisha është shkrumbuar, ndërsa ekipet vijojnë punën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Pavarësisht punës intensive gjatë 48 orëve të fundit, zjarri ende nuk është shuar plotësisht. Forcat e angazhuara vijojnë operacionin për eliminimin e plotë të vatrave të mbetura dhe vendosjen e situatës nën kontroll.

