TIRANË, 1 tetor 2026 /Albania Express News/- Profesionalizmi, integriteti dhe etika janë vendosur në qendër të trajnimit fillestar për inspektorët e rinj, i zhvilluar sot pranë Inspektoratit të Përgjithshëm.
Trajnimi synoi forcimin e njohurive dhe aftësive të inspektorëve të rinj, duke u fokusuar në kuadrin e ri ligjor për inspektimin, përgjegjësitë që burojnë nga ushtrimi i detyrës dhe standardet që duhet të udhëheqin veprimtarinë inspektuese.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua kuadrit të ri ligjor për inspektimin, ku pjesëmarrësit u njohën me parimet kryesore të ligjit, ndryshimet krahasuar me kuadrin e mëparshëm ligjor, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e inspektorëve gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.

Në fokus ishte gjithashtu sistemi “e-Inspektimi”, përmes të cilit inspektorët u njohën me mënyrën e funksionimit të tij, procedurat e inspektimit, hapat kryesorë të procesit dhe standardizimin e procedurave përmes platformës elektronike.
Gjatë sesioneve të trajnimit u trajtuan edhe çështje që lidhen me rekrutimin, karrierën, vlerësimin dhe disiplinën e inspektorëve. Në mënyrë të veçantë, u prezantuan procedurat e përzgjedhjes, emërimit, konkurrimit dhe testimit, mekanizmat e vlerësimit të performancës dhe ecurisë në karrierë, sistemi disiplinor dhe garancitë procedurale.
Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me procedurat për shqyrtimin e ankimeve, rolin e komisioneve përkatëse, si dhe sistemin e testimit fillestar dhe periodik të inspektorëve.

Trajnimi vjen në kuadër të përgatitjes profesionale të inspektorëve të rinj dhe synon konsolidimin e standardeve të një veprimtarie inspektuese të përgjegjshme, transparente dhe në funksion të interesit publik.
Profesionalizëm, integritet dhe etikë mbeten tre parime themelore që duhet të udhëheqin ushtrimin e detyrës së çdo inspektori.


