TIRANË, 1 tetor 2026 /Albania Express News/- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për pjesëmarrje me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e cilëson marrëveshjen si një zhvillim që duhet përshëndetur, duke theksuar se ajo, sipas tij, është në interes të shqiptarëve që jetojnë në këto komuna.
“Partia Demokratike përshëndet këtë marrëveshje që është dhe interesi më i mirë i shqiptarëve në këto komuna të Serbisë”, shprehet Berisha.
Kreu i PD-së u ka bërë gjithashtu thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe atyre në emigracion, të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke e lidhur pjesëmarrjen me mundësinë për të siguruar përfaqësim politik të komunitetit shqiptar.
“Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë shqiptarëve rezidentë në këto komuna apo në emigracion të marrin pjesë në këto zgjedhje për të siguruar përfaqësimin më të mirë të mundshëm të shqiptarëve të komunave të tyre”, deklaron ai.
Marrëveshja mes forcave politike shqiptare parashikon garimin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë me një listë të përbashkët, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”.
Në reagimin e tij, Berisha i referohet edhe vështirësive me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këto tre komuna, duke e konsideruar pjesëmarrjen në zgjedhje si një element të rëndësishëm për përfaqësimin e interesave të tyre në institucionet e Serbisë.

