Një tjetër arritje për sportin shqiptar. Ekipi përfaqësues i Shqipërisë në çiklizëm ka shkëlqyer në “Turneun e Kosovës”, një kompeticion i nivelit ndërkombëtar, që u zhvillua këtë fundjavë me pjesëmarrjen e mbi 120 çiklistëve nga vende të ndryshme të Europës. Nën drejtimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, skuadra kuqezi bëri një paraqitje mbresëlënëse, duke u vlerësuar si ekipi më i mirë i turneut.
Në këtë aktivitet morën pjesë ekipe nga Anglia (2 ekipe), Holanda, Belgjika dhe Italia (2 ekipe), çka i shton edhe më shumë vlerën këtij suksesi për përfaqësuesen shqiptare. Kulmi i këtij turneu ishte fitorja e Kupës nga çiklisti shqiptar Valentino Kamberaj, i cili tregoi formë të shkëlqyer dhe vendosmëri në garë, duke lënë pas konkurrentë të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Ky rezultat konfirmon rritjen dhe përparimin e vazhdueshëm të çiklizmit shqiptar në arenën ndërkombëtare, falë përkushtimit të sportistëve, trajnerëve dhe strukturave drejtuese të Federatës Shqiptare të Çiklizmit.