Akademia e Sigurisë dhe ICITAP vijojnë trajnimin për hetimin e krimit, certifikohen 23 specialistë

TIRANË, 25 shtator 2026 /Albania Express News/- Akademia e Sigurisë, në bashkëpunim me Programin ICITAP të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vijon forcimin e kapaciteteve profesionale të strukturave ligjzbatuese përmes Kursit për “Hetimin e Krimit – Niveli I”.

Në kuadër të kursit të 19-të, 23 specialistë të hetimit të krimeve përfunduan me sukses programin e trajnimit dhe u certifikuan nga Akademia e Sigurisë.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Atasheu dhe drejtuesi i Programit ICITAP, Richard Deasy, drejtues të Akademisë së Sigurisë, si dhe lektorët që kanë kontribuar në zhvillimin e kursit.

Programi synon krijimin dhe konsolidimin e një standardi të unifikuar hetimor, me fokus të veçantë në mënyrën e marrjes së informacionit dhe pyetjen profesionale të të dëmtuarve, personave të dyshuar dhe autorëve të veprave penale.

Kursi “Hetim Krimi – Niveli I” u prezantua në vitin 2023 fillimisht si një program pilot, i financuar nga INL, ndërsa modulet dhe programet e hartuara nga ekspertët e ICITAP tashmë janë integruar në programin e përgjithshëm të trajnimeve të Policisë së Shtetit, të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Për vitin 2026, Akademia e Sigurisë ka vendosur si një nga objektivat kryesore rritjen e standardeve profesionale në procesin hetimor, duke monitoruar në mënyrë të matshme rezultatet dhe zbatimin në praktikë të njohurive të marra nga specialistët që kanë përfunduar këtë trajnim.

Të dhënat e një anketimi të zhvilluar në gusht 2026 tregojnë një vlerësim pozitiv të programit. Sipas rezultateve të analizuara, 85.7% e të anketuarve kanë vlerësuar kurrikulat e kursit, ndërsa efektshmëria e marrjes së informacionit të përcjellë nga instruktorët dhe zbatueshmëria e tij në praktikën e përditshme është vlerësuar në nivelin 83.5%.

Në procesin e vlerësimit janë përfshirë edhe drejtuesit e strukturave ku punojnë specialistët e trajnuar. Nga 297 kursantë dhe drejtues strukturash, janë intervistuar 224 persona.

Sipas të dhënave të anketimit, 97.6% e të intervistuarve kanë dhënë vlerësim pozitiv për qasjen profesionale të specialistëve të certifikuar, tregues që, sipas Akademisë së Sigurisë, dëshmon për përmirësimin e performancës profesionale pas përfundimit të trajnimit.

Kursi “Hetim Krimi – Niveli I” do të vijojë të zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme me mbështetjen e Programit ICITAP, me synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe krijimin gradual të një standardi të unifikuar hetimor në Policinë e Shtetit dhe në strukturat e tjera ligjzbatuese.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME