Trafiku dhe lokalet: shkaktarët kryesorë të zhurmës në Shqipëri

Monitorimi i kryer gjatë vitit 2024 në 13 qytete të vendit tregon se ndotja akustike vijon të mbetet një problem shqetësues. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, niveli i zhurmave gjatë ditës tejkalon kufirin prej 55 decibel në të gjitha qytetet e monitoruara, me përjashtim të Lushnjes.

Tirana rezulton më problematike, ku tejkalimi arrin në 15% mbi normën, e ndjekur nga Vlora, Saranda dhe Gjirokastra. Edhe gjatë natës, ku kufiri i lejuar është 45 decibel, situata paraqitet e njëjtë. Pothuajse të gjitha qytetet regjistrojnë tejkalime, me shifrat më të larta në Vlorë, Tiranë dhe Sarandë. Ndërkohë, vetëm Kukësi, Përmeti dhe Lushnja mbeten brenda kufijve të lejuar.

Shkaku kryesor i emetimeve të zhurmave është trafiku rrugor, ndërsa në shumë zona, sidomos gjatë natës, problematikë paraqiten edhe lokalet, raporton TV Scan.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave shkakton probleme shëndetësore si: dëmtim të dëgjimit, inflamacion i trurit, humor i keq, imunitet i dobët, mungesë përqendrimi dhe probleme me gjumin. Gjithashtu, ndikon edhe në aspektin psikologjik, duke shkaktuar agresivitet, padurueshmëri, frenim në shpejtësinë e komunikimit, si dhe ndryshime në sistemin hormonal dhe imunitar.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit propozon një sërë masash për të ulur ndotjen akustike, si krijimi i brezave të gjelbër me pemë midis zonave të banuara dhe rrugëve kryesore, përcaktimi me rregullore i distancave mes rrugëve dhe banesave, si dhe parashikimi i masave kundër zhurmës që në fazën e projektimit të ndërtimeve të reja.

Një tjetër pikë e rëndësishme është kontrolli periodik i mjeteve të transportit që gjenerojnë zhurmë, ndërhyrja në sinjalistikën rrugore dhe vendosja e shenjave paralajmëruese në pika të caktuara.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME