TIRANË, 23 shtator 2026 /Albania Express News/- Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe në Rusi dhe Itali.
Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, janë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, dy shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për përfshirje në veprimtari kriminale.
Në Rusi është arrestuar S. A., 51 vjeç, ndaj të cilit, në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai është nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, në Itali është arrestuar Alok Mittra, 47 vjeç, i cili është dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Mittra ishte pjesë e një grupi kriminal që, gjatë një periudhe gjashtëmujore në vitet 2023–2024, organizoi kalimin e paligjshëm të kufirit të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.
Sipas autoriteteve, shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai dhe pajiseshin me kontrata pune fiktive, me qëllim marrjen e lejeve të qëndrimit. Pas pajisjes me dokumentacionin përkatës, ata vijonin udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të kësaj veprimtarie kriminale, sipas hetimeve, Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj, duke u siguruar transportin dhe akomodimin gjatë itinerarit.
Policia e Shtetit bën me dije se, në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve drejt Shqipërisë.

