GJERMANI ,22 shtator 2026 /Albania Express News/-Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Marsbergut në Gjermani, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti mes disa të rinjve.
Sipas “Bild”, viktima, i identifikuar si Brian, ndërhyri së bashku me një shok për të mbrojtur një vajzë, e cila dyshohet se kishte një borxh prej 200 eurosh ndaj njërit prej autorëve të dyshuar.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat gjermane, dy të rinjtë, një shqiptar dhe një grek, i kishin kërkuar vajzës shlyerjen e borxhit dhe situata më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik.
Në përpjekje për të ndërhyrë, 15-vjeçari Brian dhe shoku i tij dyshohet se janë sulmuar me thikë. Brian ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa shoku i tij ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë.
Policia gjermane ka shpallur në kërkim Albin Bejtullahun, 23 vjeç, shtetas shqiptar, dhe Alex Olntasin, 22 vjeç, shtetas grek, të dy të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.
Autoritetet gjermane kanë publikuar edhe fotografitë e dy personave të kërkuar dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion mbi vendndodhjen e tyre të kontaktojnë policinë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e konfliktit që përfundoi me vdekjen e 15-vjeçarit/ BILD

