Vijon në ditën e 114-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, në ditën e 114-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec.

Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjatë tubimit, qytetarët përcollën thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Përmes pankartave, protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë dhe kërkuan bashkimin e qytetarëve, pavarësisht dallimeve politike apo shoqërore.

Në protestë morën fjalën edhe disa aktivistë, të cilët bënë thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar.

Aktivisti Edison Lika u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e së enjtes para Parlamentit, ku, sipas tij, pritet të diskutohen tre projektligje të kundërshtuara nga protestuesit.

Ai deklaroi se edhe mosshqyrtimi i projektligjeve në komisionet parlamentare do të konsiderohej nga protestuesit si rezultat i presionit qytetar. Lika theksoi se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesës për largimin e qeverisë.

Ndërsa, aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se bashkimi i shqiptarëve përtej bindjeve politike është rruga për ndryshim.

Ajo kritikoi politikat e ndjekura ndër vite, duke pretenduar se pushteti ka favorizuar të pasurit në dëm të qytetarëve me të ardhura të ulëta dhe se shërbimet publike janë përballur me mungesa.

Protestat kundër qeverisë dhe investimit në Zvërnec janë zhvilluar prej 114 ditësh, ndërsa në tubimet e kësaj periudhe është përfshirë edhe diaspora shqiptare.

Vijon në ditën e 114-të protesta para Kryeministrisë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME