MIÇIGAN, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën e tij në shtetin e Miçiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në fokus të agjendës janë takimet me komunitetin shqiptar dhe përfaqësues të bizneseve shqiptaro-amerikane që shfaqin interes për të investuar në Shqipëri.
Ndalesën e parë gjatë vizitës, Kryeministri Rama e zhvilloi në kompaninë Universal Transport, një sipërmarrje e suksesshme e themeluar dhe drejtuar nga shqiptaro-amerikanë, e cila operon në sektorin e transportit të pjesëve të industrisë automobilistike nga Miçigani drejt shteteve të tjera amerikane.
Gjatë vizitës, Rama u njoh nga afër me qendrën e operimit të kompanisë, e vendosur pranë aeroportit të Detroitit, e cila së fundmi është zgjeruar përmes investimeve të reja.
Presidenti i Universal Transport, Adriatik Sheko, falënderoi Kryeministrin për vizitën dhe vlerësoi mundësitë që po krijohen për pjesëtarët e diasporës shqiptare që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri.
Sipas tij, ndër sektorët me interes për investitorët shqiptaro-amerikanë janë energjia, turizmi dhe agroturizmi, ndërsa u veçua edhe mundësia për të përfituar nga Paketa e Maleve.
Gjatë ndalesës në kompani, Kryeministri Rama zhvilloi gjithashtu një bashkëbisedim me pjesëtarë të stafit dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Miçigan, të cilët ishin të pranishëm në aktivitet.
Vizita e Kryeministrit në Miçigan do të vijojë me një takim të zgjeruar me komunitetin shqiptar, i parashikuar të zhvillohet në orën 18:00, sipas orës lokale.
Takimet me diasporën shqiptare në SHBA pritet të shërbejnë gjithashtu si një mundësi për të diskutuar mbi forcimin e lidhjeve ekonomike me Shqipërinë dhe përfshirjen e investitorëve shqiptarë në zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë.

