LIBRAZHD ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Atmosfera sportive në Librazhd është shoqëruar edhe me mbështetje institucionale për Sopotin, përpara një prej sfidave të rëndësishme të kampionatit të Kategorisë së Parë.
Para nisjes së ndeshjes Sopoti – Kastrioti, në stadiumin e Librazhdit kanë zbritur në fushën e blertë kryetari i Bashkisë Librazhd, së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-deputetin e kësaj zone, Taulant Balla, drejtuesin politik të PS për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, si dhe nënprefektin Josif Laska.

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë i kanë përcjellë ekipit të Sopotit urimet për një paraqitje sa më të mirë dhe sukses në përballjen e sotme.
Sopoti kërkon fitoren në shtëpi
Sopoti rikthehet këtë të diel përpara tifozëve të tij, në një sfidë që ka rëndësi të veçantë për skuadrën librazhdase në kampionatin e Kategorisë së Parë.
Përballë do të jetë Kastrioti, një kundërshtar që pritet ta bëjë të fortë garën në stadiumin e Librazhdit. Për ekipin vendas, objektivi është një tjetër rezultat pozitiv dhe, mbi të gjitha, fitorja e parë në shtëpi, pas paraqitjeve të deritanishme në kampionat.

Ndeshja nis në orën 16:00, ndërsa pritet që stadiumi të ketë një atmosferë të veçantë, me tifozët librazhdas që do të mbështesin skuadrën e tyre gjatë gjithë 90 minutave.
Mbështetja e ardhur para ndeshjes nga drejtuesit vendorë dhe përfaqësuesit politikë të qarkut i shtohet atmosferës së sfidës, ndërsa mesazhi për futbollistët e Sopotit është i qartë:
Suksese, djema! 💪💚⚽️


