Panairi më antik i Europës në Casalguidi, Shqipëria rikthehet me Lushnjën në edicionin e 141-të

Nga Etleva Rrapa

ITALI, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Panairi tradicional i Casalguidit, i konsideruar ndër panairet më të vjetra në Europë, ka hapur dyert për edicionin e tij të 141-të, duke sjellë për një javë një program të pasur me aktivitete kulturore, ekonomike, turistike dhe argëtuese.

Nga 16 deri më 22 shtator, i gjithë territori i Casalguidit është kthyer në një hapësirë të madhe ekspozimi dhe promovimi, ku vizitorët mund të njihen me produktet agro-ushqimore të Toskanës, makineritë bujqësore dhe traktorët, panairin e kafshëve, si dhe një sërë aktivitetesh të tjera.

Programi përfshin gjithashtu hapësira për fitness dhe joga, festën e rrushit, aktivitete me karakter historik e mesjetar, takime artistike, prezantime librash, si dhe mbrëmje informuese e shkëmbime eksperiencash mes mediave dhe drejtuesve të turizmit të disa komunave të Toskanës.

Një vend të veçantë në aktivitetet e panairit zënë edhe nismat humanitare, bashkëpunimi me forcat e emergjencave dhe Kryqin e Kuq, ndërsa çdo mbrëmje shoqërohet me spektakle muzikore dhe artistë të ftuar nga qytete të ndryshme të Italisë.

Shqipëria për herë të dytë pjesë e panairit

Për të dytin vit radhazi, Shqipëria është pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm, duke promovuar vlerat, produktet dhe kulturën shqiptare në një prej eventeve tradicionale të Toskanës.

Në edicionin e kaluar ishte e pranishme Bashkia Belsh, ndërsa këtë vit përfaqësimi shqiptar i është besuar Bashkisë Lushnjë.

Përzgjedhja e Lushnjës lidhet edhe me marrëdhëniet e bashkëpunimit të krijuara mes institucioneve vendore shqiptare dhe atyre italiane, veçanërisht me lidhjet mes Bashkisë Lushnjë, institucioneve të zonës së Pistoias dhe Komunës së Casalguidit.

Në këtë kuadër është zhvilluar një bashkëpunim i posaçëm me përfaqësues të strukturave vendore italiane, me synimin për të krijuar ura të reja bashkëpunimi, shkëmbimi ekonomik dhe promovimi të produkteve vendase.

Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe presidentit të Panairit të Casalguidit, Paolo Stefano Ciampi, për mbështetjen dhe bashkëpunimin.

Produktet e fermerëve të Lushnjës në vëmendjen e vizitorëve italianë

Bashkia Lushnjë, nën kujdesin e kryetares së bashkisë, Eriselda Sefa, ka sjellë në panair produkte të fermerëve të zonës, duke promovuar potencialin bujqësor dhe agro-ushqimor të një prej territoreve më të rëndësishme prodhuese të Shqipërisë.

Pjesë e prezantimit shqiptar janë edhe botimet dygjuhëshe italisht-shqip, të cilat do t’u ofrohen falas fëmijëve të moshës 5 deri në 10 vjeç.

Kjo nismë është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Qendrën e Botimeve të Diasporës, duke e shndërruar praninë shqiptare në panair jo vetëm në një mundësi për promovimin e produkteve, por edhe në një hapësirë për forcimin e lidhjeve kulturore dhe gjuhësore.

Integrimi përmes gjuhës dhe kulturës

Bashkia Lushnjë është bërë pjesë e projektit të prezantuar nga shoqata INTEGRITY Pistoia, me presidente Etleva Rrapa, një nismë që synon forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare dhe krijimin e hapësirave të reja për integrim e bashkëpunim.

Në qendër të projektit qëndron ideja se integrimi ndërtohet përmes ekuilibrit, respektit reciprok dhe ruajtjes së identitetit kulturor e gjuhësor.

  • Prania e Lushnjës në edicionin e 141-të të Panairit të Casalguidit përbën kështu një mundësi për promovimin e produkteve vendase, por edhe për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, veçanërisht në fushat e bujqësisë, turizmit, kulturës, arsimit dhe bashkëpunimit me diasporën.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tirana–AF Elbasani, supersfida e javës së pestë në “Selman Stërmasi”, publikohen formacionet zyrtare

TIRANË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Tirana...

Rama: “Paketa e Maleve”, mënyra më e mirë për zgjerimin e agroturizmeve

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Mbështetje edhe nga politika dhe institucionet vendore për Sopotin , Balla ,Mazniku , Salla ,Disha , Muzhaqi e Komici zbresin...

LIBRAZHD ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Atmosfera sportive në...