Universiteti i Elbasanit dhe Universiteti i Tuscia-s forcojnë bashkëpunimin, në fokus diplomat e dyfishta

Elbasan  ,19 shtator 2026 /Albania Express News/-Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe Universiteti i Tuscia-s në Itali synojnë të thellojnë bashkëpunimin akademik dhe institucional, me një fokus të veçantë te zhvillimi i programeve të diplomave të dyfishta (Double Degree).

Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” Pr.Dr.Elvira Fetahu priti në një takim zyrtar delegacionin e Universitetit të Tuscia-s, të kryesuar nga Rektorja, Prof. Tiziana Laureti.

Në përbërje të delegacionit italian ishin gjithashtu përfaqësues të lartë të strukturave akademike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të universitetit, mes tyre Prof. Alessandro Boccolini, Delegat i Rektorit për Programin Erasmus+, Prof. Cristian Silvestri, Delegat i Rektorit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, si dhe z. Carlo Contardo, Drejtor i Zyrës së Mobilitetit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve të arsimit të lartë, duke vendosur në qendër të diskutimeve programet e diplomave të dyfishta.

Këto programe synojnë t’u krijojnë studentëve mundësi të reja për të ndjekur studime dhe për të përfituar kualifikime të njohura në kuadër të hapësirës evropiane të arsimit të lartë, duke rritur njëkohësisht mundësitë për mobilitet akademik dhe përvojë ndërkombëtare.

Në takim u vlerësua gjithashtu rëndësia e forcimit të partneriteteve ndërkombëtare për zhvillimin e arsimit të lartë, shkëmbimin e eksperiencave akademike dhe nxitjen e kërkimit shkencor.

Lidershipi i të dy universiteteve rikonfirmoi angazhimin për intensifikimin e këtij partneriteti strategjik, me synim ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të arsimit të lartë dhe rritjen e cilësisë së bashkëpunimit akademik e shkencor.

Zhvillimi i diplomave të dyfishta pritet të krijojë një tjetër mundësi për studentët e Universitetit të Elbasanit, duke i afruar ata me standardet dhe përvojat e universiteteve evropiane dhe duke zgjeruar perspektivat e tyre akademike e profesionale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME