TIRANË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin e ditëve të fundit për sistemin e pagave të magjistratëve, duke u bërë thirrje drejtuesve të institucioneve të gjyqësorit që të ulen në një tryezë të përbashkët pune për të diskutuar një zgjidhje afatgjatë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama shprehet se synimi duhet të jetë garantimi i një sistemi të qëndrueshëm pagash për magjistratët, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin e piramidës shtetërore të pagave.
Kryeministri ka propozuar që në këtë tryezë të marrin pjesë edhe ekspertë të Këshillit të Europës, si dhe të kërkohet kontributi i Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë”, shkruan Rama.
Sipas tij, kjo zgjidhje duhet të garantojë trajtimin e magjistratëve, por edhe të ruajë ekuilibrin e përgjithshëm të sistemit shtetëror të pagave.
Rama thekson se tryeza mund të mirëpresë edhe ekspertë të Këshillit të Europës dhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë, duke e cilësuar dialogun institucional si mënyrën për të adresuar mosdakordësitë.
Në reagimin e tij, kryeministri nënvizon gjithashtu nivelin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe trajtimin financiar të magjistratëve, duke ia atribuar këto ndryshime vullnetit të shumicës qeverisëse.
“Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse”, shprehet Rama.
Kryeministri shton se qeveria nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por bashkëveprim institucional, duke respektuar pavarësinë e ndërsjellë të pushteteve.
“Nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, përfundon Rama.

