ATHOS, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi të mërkurën, më 16 shtator, Malin Athos në Greqi, ku qëndroi gjatë natës në Manastirin e Madh të Vatopedisë.
Sipas raportimit të medias greke ope.gr, Rama mbërriti herët në mëngjes në portin e Dafnisë, në gadishullin e Athosit, i shoqëruar edhe nga djali i tij, Greg. Në port, kryeministri shqiptar u takua me guvernatorin civil të Malit Athos, Alkiviadis Stefanis.
Pas takimit, Rama vijoi vizitën drejt Manastirit të Madh të Vatopedisë, një prej qendrave të rëndësishme monastike të Athosit, ku u prit nga igumeni Jerond Efrem Vatopedini dhe vëllazëria e manastirit.
Gjatë qëndrimit në Vatopedi, kryeministri shqiptar shprehu admirimin e tij për arkitekturën e kompleksit monastik, si dhe për veprat e pikturës dhe elementet artistike që karakterizojnë manastirin.
Sipas raportimit, Rama u ndal veçanërisht te trashëgimia artistike dhe kulturore e Athosit, duke e vlerësuar atë edhe përmes këndvështrimit të tij si artist. Ai deklaroi gjithashtu se është i njohur me Filokalinë e Malit Athos, si dhe me traditën e pasur shpirtërore dhe kulturore të këtij territori.
Vizita vijoi me qëndrimin e Ramës gjatë natës në Manastirin e Vatopedisë. Sipas medias greke, kryeministri shqiptar u largua nga manastiri mëngjesin e sotëm.
Mali Athos, i njohur për traditën e tij të lashtë monastike, është një qendër e rëndësishme e trashëgimisë ortodokse dhe kulturore në Greqi. Vatopedia është ndër manastiret kryesore të komunitetit monastik të Athosit dhe ruan një pasuri të konsiderueshme historike, arkitekturore, artistike dhe dorëshkrimore.

